Rudyart Kipling
N’mujsh
N'mujsh me e ruejtë mendjen
kur të gjithë e kanë hupë
dhe fajin ty ta lajnë;
N'mujsh me besue në vedvedi
edhe kur e din se të gjithë
kundër i ke;
N'mujsh me durue
edhe kur s'durohet ma
e pa u krenue shpifësit
t’mos i përgjigjesh me shpifje;
N'mujsh me andrrue
pa u ba andrrimtar
e me mendue pa e çoroditë mendjen;
N'mujsh me i qindrue
si Triumfit edhe Rrenimit
tuj u sjellë njisoj
me të dy këta mashtrues;
N'mujsh mos me u ligshtue
edhe kur të vërtetat tuaja
horat i shtremnojnë
për me rrejtë naivët,
dhe as kur shef tuj u shkatërrue
e tanë ajo çka ti prej asgjasë ke ndërtue;
N'mujsh që mbasi ke rrezikue
me hupë pasuninë tande
(e madje hupë e ke)
me gjetë forca me ia nisë
prej s'parit pa b'za për damin;
N'mujsh me u ngjallë
kur i mbaruem je
dhe në këtë çast vedit t'i thuesh:
"Qindro he burrë!"
N'mujsh mos me rrejtë
edhe kur fjalim mban
e mos me fy
as kur mbretnit mik të kanë;
N'mujsh që prej armikut
me ruejtë po aq sa vedin
edhe mikun tand të dashtun;
N'mujsh me i besue të gjithëve
por asnjenit tejet;
N'mujsh me e mbushë
minutin që ikë
tuj ia dhanë vleftën
e vet çdo sekondi;
E jotja ka me qenë bota
e çdo gja e çmueshme dhe
(bash kjo vlen ma fort)
N’at botë njeri, ti ke me qenë biri im!
Përktheu: Besnik DIZDARI
No comments:
Post a Comment