Teksa e shtrëngoi ndër krahë dhe e solli me kujdes nga vetja, një ofshamë u përplas fort në xhamat e ftohtë të vitrinës. Ai qëndronte aty para saj, i gatshëm për t’ia plotësuar të gjitha tekat, ndërsa jashtë gjithçka zbardhte akullsish e era sillej nervoze nëpër hapësirat boshe, sepse ngrica s’e lejonte të tunde asnjë degë peme, asnjë halë pishe, asnjë kanat dritareje. Njerëzit e rrallë që kalonin, duke matur mirë hapat në trotuaret rrëshqitëse, dukeshin qesharakë ashtu të strukur ndër rrobat e leshta.
Edhe ai duhej të ishte i veshur mirë për të sfiduar atë stinë të bardhë, për më tepër, i duhej të bënte kujdes që ngjyrat e rrobave të ishin sa më të kombinuara, që të binte në sy, pasi, në fund të fundit, ky ishte qëllimi i ekzistencës së tij. Ajo i hodhi një shikim indiferent fytyrës së tij me atë buzëqeshjen e skalitur në të dhe syve, që nuk e kishin shuar ëmbëlsinë që kur ishin takuar për herë të parë. Priti që nga buzët e tij të dilte ndonjë fjalë, por i gjëmoi ndër veshë veç tingulli metalik, i cili kumboi kobshëm atë pasdite nga telefoni i zi statik, që kishte vite në atë qoshe korridori. Se si mund të ndaheshin dy njerëz që duheshin aq shumë veç nga një telefonatë, këtë ajo s’do të arrinte ta kuptonte kurrë. Po ja që ai u zhduk bashkë me jehonën e zërit, që u përplas ndër muret e lagështuara dhe u shpërbë mistershëm. E kishte kapërdirë sa herë ngashërimin që i vinte deri në grykë dhe i kishte përcjellë lotët e hidhur pa mundur të bënte asgjë tjetër për të ndrequr atë theqafje ndjenjash.
U përmend nga trokitja në xham e një kalimtari që e përshëndeti miqësisht dhe vazhdoi e qetë të merrej me atë që kishte përpara. Meqë ai ishte pak më i gjatë, ajo u zgjat në majë të gishtave që t’i rregullonte shallin, i cili i shkonte mrekullisht me kapuçin dhe dorezat, pastaj i preku lehtë supet dhe butësia e trikos blu i dha një ndjesi ngrohtësie. Bëri dy hapa prapa që të mund ta sodiste me admirim atë që tashmë, me duar të shtira përpara, kishte marrë një pamje perfekte. E ç’i duhej më shumë për të qetësuar shpirtin e saj të trazuar sesa një buzëqeshje e dëlirë, një vështrim i ëmbël dhe një palë krahë gati për ta përqafuar?
Bora, që filloi të binte sërish, sikur deshi ta shoqëronte në ecejaket e mendimeve të saj, që shpesh arratiseshin pa cak, ndërsa sipërfaqja e lëmuar e banakut, ku mbështeti bërrylat, u turbullua nga avulli i frymëmarrjes së saj të shpeshtuar. Atë çast dera u hap rrufeshëm dhe brenda hyri një djalë brun, që hukaste duart e ngrira nga acari i asaj dite të ftohtë dimri. Krejt shkujdesshëm, ai i buzëqeshi dhe foli shpejt si për t’ia davaritur disi atë çoroditje që e kishte kapluar:
- Ju lutem, më jepni një palë doreza si ato të manekinit të vitrinës!
31 mars 2011
No comments:
Post a Comment