Tuesday, October 11, 2011

Namë apo urim...


                              (Rrëfim për një lokal, ku dikur nuk kapërdiva dot as ujin)

Është mrekulli ta pish kafen e nxehtë në një mëngjes të ftohtë, kur xhamat e lokalit vishen me avull e melodia e ekspresit të ngjan me lokomotivën e trenit, që po niset të të çojë në atë stacion, ku të pret dikush i akulluar nga malli... Eh, sa rrokopujë i kam mendimet në kësi ditësh, ndaj, si për të vënë pak rregull ndër to, rrufita si e përhumbur kafen me vështrimin e tretur kushedi se ku.
E ardhur rrëmujshëm, mes ditëve monotone, të përlyera nga pluhuri i asfalteve moderne, të djegura prej diellit që i kishte kaluar vakti e jargavitej si pa kuptim, dita e sotme i struku të gjithë nën rrobat e trasha, i shkretoi stolat e parqeve, u dha jetë reve anemike e nur qiellit vjeshtak. Jashtë xhamit melankolik të lokalit, era rrokte si e marrë gjithçka gjente përpara e gjethet vorbulloheshin si të shastisura pa e ditur stacionin final. Shiu i një nate më parë kishte shpërlarë trotuaret me bordura ekstravagante, pullazet vetmitare të vilave të vjetra dhe grilat e modifikura plastikë të pallateve, që më kot rrekeshin t’u ngjasonin atyre prej druri.
Lokali zhurmonte si koshere dhe ekspresi s’lodhej së shfryri, duke lëshuar aromë marramendëse. Më shkëputi nga ky meditim zëri i mekur i një djali që po fliste në celular, krejt ngjitur me tavolinën time. Ndonjë fjalë kapërdihej nga emocionet, por ai prapë mundohej ta ndërtonte fjalinë nga fillimi, duke përsëritur si në jerm Era, Era, Era... U bëra kurioze. Më magjepsi zëri i tij e të dukej sikur lutjet përhapeshin mes tymit të duhanit që endej nëpër lokal, ndërsa qepallat duhej t’i puliteshin shpejt për të penguar lotët. Sa do të doja t’ia shihja sytë, por ishte e padrejtë t’ia cenoja atë çast intim. Rastësisht, karriget tona kishin qëlluar aq afër, saqë as zhurma e ekspresit, as tingujt e ëmbël që kumbonin nga amplifikatori i varur në mur s’mund të më pengonin të përpija çdo detaj të atij monologu. I kam adhuruar përherë meshkujt që përloten nga dashuria, ndoshta ai çast dobësie i ka bërë më të ndjeshëm e më të sinqertë, ndoshta përkëdhelja veç tekat e mia duke i parë ashtu si të nënshtruar, ndoshta ... Po ku e gjeti ky djalë të ulej afër meje tamam sot, kur s’po dija ku ta përplasja mallin tim!?
Atij s’i bënte përshtypje asgjë, as njerëzit që hynin e dilnin, as banakierja thashethemaxhije që ia kishte ngulur sytë, as retë e rënduara që ishin gati të shkundnin shiun, atje jashtë xhamave të avulluar të lokalit.
-         Era, pse s’erdhe? Unë të prita deri vonë në stacion.
-      ...
Karrigia e tij lëvizi e nervozuar e gërvishtja që shkaktuan këmbët e saj në pllakat e rrëshqitshme më rrëqethi. Piva edhe atë pak kafe të ftohtë që kishte mbetur në filxhan dhe ndoqa me sy, si e hipnotizuar, disa rrëke uji që kullonin si lot artificialë manekinësh, aty-këtu mbi xhama.
Të qeshurat e shkujdesura të disa studenteve në tavolinën përballë i ndërprenë për pak çaste pëshpërimat telefonike, por nga frymëmarrja e shqetësuar kuptohej se djali po dëgjonte shfajësimin e Erës prej kushedi cilit stacion të pikëlluar nga pritjet. Atë çast i urreva të gjithë ato që s’vijnë ndër takime, ato që s’presin ndër stacione... Nuk e di pse më preku thellë ajo telefonatë e isha gati t’i thosha një mijë fjalë të ëmbla djalit të panjohur.
Dita jashtë filloi të errej nga retë gri që u ulën ngeshëm, sikur u bënë kurioze për çudirat e këtij qyteti mjeran, që s’arrinte t’i bënte të lumtur banorët e tij. Filxhani i kafesë dremiste i boshatisur, ndërsa ekspresi vazhdonte të fishkëllente përmallshëm si lokomotivë. Tani nga tavolina afër meje vinin ca psherëtima të lehta e dukej sikur gjithçka po shuhej, si zjarret afër detit që s’i bëjnë dot ballë furisë së baticave. Por atë çast kumboi si jehonë theqafëse një namë apo urim, që s’e kisha dëgjuar kurrë më parë:
-         Eh, ty të vraftë reja!
Si për ironi, pas asaj pasthirrme, qielli flakëroi nga një vetëtimë e beftë e bubullima që e pasoi bëri që përreth të mos pipëtinte më askush. Dera e lokalit u përplas frikshëm e djali u zhduk në trotuarin e ngushtë, ku era lajkatare hallakatej ndër pikat marroqe të shiut që sapo kishte filluar.


10 tetor 2011

No comments:

Post a Comment