"A të duket e bukur kjo barkë?"
"Kur asht plot, duket fort e bukur. Duket, si me të thanë, duket nga bregu i ujit duket, si me thanë, duket si çiftelia. Luen mbi valë. Përkundet si zonjë... Luen mbi valët që sulen kah ajo, por ajo s'jau ven veshin. Luen. Dhe valët trenohen kur e shohin tue luejtë. Sulen kah ajo, por s'i bajnë gja. Ajo vazhdon me luejtë, barka -çifteli vazhdon me luejtë dhe prej saj përhapen tingujt, të cilët përpiqet me i gëlltitë zhumhuri i valëve. Shumë tinguj mbyten në zhumhurin e valëve, aty pranë barkë-çifteli. Disa të tjerë kërcejnë prej valës në valë dhe mbërrijnë deri në breg të ujit. Aty prap nisin të shumohen. Bahen aq shumë, sa nuk mund t'i njehë askush. Shkrihen në njani-tjetrin. Dalin prej njani-tjetrit. Kangë. Po, tash e dëgjoj nji kangë, që çan mjegullën para syve të mi. Çahet mjegulla. Shoh nji rriskë qiell dhe nji vetull mali. Qielli asht i murrmë, ajo vetull mali asht gjithashtu e murrmë. Dridhet ajo vetull mali, ulet ajo vetull mali. Tash e shoh tue u rrokulllsë qerrja e diellit. Qerrja e diellit rrokulliset me zhurmë e poterë. Zhurma e potera e qerres së diellit, që në rrokullisje e sipër thyhet e bahet copë-copë, mbyt çdo za: nuk ndihet shushurima e malit, zogjtë gurëzohen, hutini shikon lakuriqët e natës që fluturojnë në pikë të ditës, shikon dhe copat e qerres së diellit. Mugë. Në mugë shoh dy hije. Ecin ngadalë, drejt njani-tjetrit. Afrohen. Nuk flasin; kuptohen në heshtje. Shikojnë qerren e diellit, copat e saj para kambëve të tyne. Afrohet edhe nji hije. Edhe ky shikon copat e qerres së diellit. Që të tre marrin nga nji copë të qerres së diellit dhe e puthin. Mandej kthejnë kryet kah hutini që shikojnë lakuriqët e natës, të cilët fluturojnë në pikë të ditës. Kurse skaj tyne, filloj të shoh hije të tjera, që nuk ndalen, por vazhdojnë përpara; kalojnë pranë copave të qerres së diellit të rrokullisun, kur e ul ajo vetull mali dhe shkojnë në heshtje, njani pas tjetrit. Hijet. Shkojnë. Kryeulun. Të thuesh, nuk e çojnë kryet as kur pijnë ujë nga brojcat. Asgja nuk pipëtin. Ndëgjohet vetëm zhabllima e hapave të hijeve, që shkojnë kryeulun. Kurse hija e parë thotë: "Po shkojnë, ore breuk.", ndërsa hija tjetër ia pret: "Po, ore desidat, po."Hija e tretë vetëm dëgjon e nuk thotë gja; edhe ma tutje shikon vargun e hijeve që kalojnë skaj tij e copave të qeres së diellit. Shikon edhe hutinin që shikon lakuriqët e natës, të cilët dalin e fluturojnë në pikë të ditës. Mandej kthehen, hija e parë kthehet dhe këqyr hijen e dytë, mandej kthehet dhe këqyr hijen e tretë, mandej kthehen, hija e tretë kthehet dhe këqyr hijen e dytë, mandej kthehet, hija e dytë kthehet dhe këqye hijen e parë; në sytë e të tretëve ecin hijet, ecën vargu i hijeve që kalojnë skaj tyne. Ecin, hijet ecin. Dhe vetëm copat e qerres së diellit, para kambëve të tyne, nuk ecin. Kanë mbetë aty; nuk lëvizin. E këta shikojnë ato copa: qerrja e diellit nuk mund të ecë. Tash, nuk ecin as sytë e tyne.
No comments:
Post a Comment