Wednesday, November 9, 2011

Mirësia e Hënës - Sharle Bodler


Charles Baudelaire (Sharle Bodler) lindi më 9 prill të vitit 1821 në Paris dhe vdiq më 31 gusht të vitit 1867. Ishte poet, kritik dhe përkthyes i njohur francez.. Veprat e tij me te njohura jane: "Lulet e se keqes", "Parajsat artificiale", "Rrenojat", "Prozat poetike".

 


Ndërkohë që ti ishe duke fjetur, tekanjozja Hënë, që nga prapa dritares pa shtratin tënd e tha: Kjo vogëlushe më pëlqen. Dhe zbriti butësisht shkallët prej resh e, pa bërë zhurmë, kaloi mes përmes xhamave. Pastaj, u shtri mbi trupin tënd me ëmbëlsinë e një nëne e, mbi fytyrën tënde hodhi ngjyrën e vellos së saj. E sytë e tu u bënë të gjelbër e faqet tepër të zbehta. E, pastaj, ndërkohë që ti ishe duke kundruar plot qejf atë vizitore të çuditshme, ajo t’u ngjit nëpër gushë, ta pushtoi gjoksin fort e sytë e tu, çuditërisht u zmadhuan shumë shoqëruar me një dëshirë vajtimi, ndjenjë të cilën ti do ta ruaje përjetë.
E, sakaq, e dehur nga lumturia, Hëna kish mbushur gjithë dhomën me një atmosferë fosforeshente si ajo e peshqve që natën lëshojnë dritë e, mendueshëm, thoshte: Ti do t’i nënshtrohesh përjetësisht influencës së kësaj puthjeje. Ti do të jesh e bukur ashtu siç dua unë. Ti do të duash atë që dua unë dhe atë që mua më do: ujin, retë, heshtjen dhe natën. Detin e pafund ngjyrë gurkali. Ujërat e tij herë të qeta e herë të trazuara. Vendet ku s’do vësh këmbë asnjëherë. Dashnorin që s’do ta njohësh kurrë. Lulet e frikshme. Parfumet që do të bëjnë të luash mendsh. Macet që zvarriten mbi piano e rënkojnë si gra, me zë të ëmbël që del nga gryka. E, ty do të të duan dashnorët e mi, ty do të vijnë rrotull kurtizanët e mi. Ti do jesh mbretëresha e njerëzve me sy të gjelbër. E atyre që u kam zënë frymën me puthjet e mia të natës. Atyre që adhurojnë detin. Detin e pafund, plot zallahi. Atyre që s’dinë ku ndodhen e mes grash që s’i njohin. Mes lulesh të çuditshme që i ngjajë temjanicës së një feje të panjohur. Mes parfumesh që prishin vullnetin dhe kafshësh të egra e epshore, te cilat janë idhujt e çmendurisë së tyre. E, është kjo arsyeja pse moj e mallkuar, vajzë e dashur e nazemadhe që, tani, unë jam shtrirë pranë këmbkave të tua, duke kërkuar në tërësinë e qenies tënde refleksin e Hyjnisë së dyshimtë, asaj, të rraskapiturës nunë, të fatthënës ndrikull, mëndeshës helmdhënëse të gjithë lunatikëve ...

 



No comments:

Post a Comment