Tuesday, December 27, 2011

Rrfim pragviti






Më duhet me e kthye edhe këtë fletë... Të tjerat, periodikisht, janë kthye e heshtojnë të njeshuna mbas murit të ftohtë, ashtu të ndërthuruna shkujdesshëm me aroma stinësh, të shënueme tek-tuk te ndonjë datë me do simbole që s'mundem me i deshifrue. E kthej instinktivisht fletën, por hapësina e bardhë e pjesës së pasme të kopertinës më step. Pa e mendue gjatë e heki krejt prej murit. S’ka kuptim me e lanë ma aty. Në mur mbet nji kuadrat i zbardhun që më kujton ngjyrën e odës para nji viti. Shof si me mëshirë fletën e dhetorit, që ka pritë 11 muej, e strukun nën peshën e fletëve të tjera, e tash nuk mundet me provue ndjesinë e njeshjes mbas murit.
Do lëkura portokalli që kam vu mbi shporet lshojnë një aromë të ndjellëse. Zjermi bubulon ngeshëm mbas pareteve prej gize e unë çuditem se si mund të shijohet nji zjerm, kur s’mundesh me pa gjuhët e tij të kuqe që hallakaten e përpihen prej oxhakut, i cili krenohet me atë tym bojhini që rreket me sfidue retë. Numrat ndër fletët e kalendarit nxijnë indifernt në sfondin e vijëzuem të javëve. Vetëm të dilet e ditët e festave kanë pasë privilegjin me u shënue me të kuqe. Aty-këtu, dalloj orare takimesh, iniciale emnash, destinacione udhëtimesh, shënim për pirje ilaçesh, ditëlindje, humbje... A thue po i rrëfehem këtyne fletëve të zverdhuna në këtë pragvit? Përhumbem ndër numrat e radhitun simetrikisht e duket sikur ato maten me më thanë se ku mbrrita. Ku gabova? Kë humba? Ç'andrra pashë? Cila ditë më dha ma shumë shpresë?
A thue asht nostalgjia e këtyne zgipditësh që të krijon këtë pështjellim ndjesish e këtë dëshirë të mshehun me ndreqë diçka? Si ai këpucari që arrnon kpucën e shkyeme të udhtarit të nisun për rrugë të gjatë, mue më duhet me arrnue cipën e shpirtit që më asht sfilitë prej do datash të rrumbullakosuna në kalendar. Më duhet me fillue prej fillimit e me kapërdi theqafjet e idhta. Jena në prag e pragjet gjithmonë janë të mbarsuna me lamtumira e mirëseardhje...
Era gërset në dritare me gishta degësh të zhveshuna. Ndër xhamat e limuet kullojnë avujt, në mëdyshje për ndjesitë që provojnë dy faqet e tyre. Retë e randueme po bajnë përgatitjet e fundit për vallen e çmendun të kristaleve e ndonjë fishekzjarr e hedhun kuturu më kot mundohet me e prishë këtë magji të bardhë.
Cakitja e dy gotave me venë të kuqe sjell gjithçka në normalitet. Buzët harkohen për me shpërthye në hare e sytë shkëlqejnë dritshëm. Kalendari i vjetër rrëshqet diku nën tavolinë e urimet tradicionale për Vitin e Ri paqtojnë shpirtnat: Gëzuar!

Rozafa Shpuza





Friday, December 16, 2011

Ku shtrihej Shkodra e vjetër?

Ne kohen e Ilireve qyteti shtrihej krejtesisht ne pjesen jugore te kodres se kalase Rozafa dhe pjeserisht ne rrafshin e kesaj kodre.
Pas pushtimit te Shkodres nga Roma me 168 para eres sone (p.K.) ajo mbetet gjithnje qender e nje njesie qe percaktuan vete romaket ne nje territor ne veri e ne jug te Shkodres.
Edhe ne kohen romake qyteti i Shkodres shtrihej pjeserisht ne rrafshin e kodres se kalase dhe pergjithsisht ne pjesen jugore te kesaj kodre. Ne Mesjete qyteti ruajti trojet e mepareshme, por me qe rritej gjithnje ai shtrihej ne fushe ne lagjen qe edhe sot quhet "Tabake", fusha te xhamia e Plumbit ne fushen ne mes vendit ku bashkohej Kiri me Bunen ne pjesen jug-perendimore te keshtjelles dhe ne Bahçallek.
Me devijimin e Drinit ne drejtim te Shkodres (ne vitin 1858) per t'u derdhe ne Bune, permbytjet e lagjeve ne fushe prane kalase bene qe banoret te shperngulen mveshen kodres se kalase dhe kodres se Pashes (Kodrat e Tepes). Nje pjese e banoreve te ardhur bashke me ushtrine turke si stalljere e kovaçe u vendosen ne kodren ne veri te kalase, pasi kishin afer edhe kullotat e kuajve ne fushe te Bunes edhe stallat e kuajve.
Keto banore me origjine nga Egjipti me vone u quajten "magjype" dhe lagjia e tyre "Mahalla e Magjypve" ose "Mahalla". Fjala "magjype" eshte deformimi i fjales "egjypte". Nuk qendron absolutisht idea se magjypte jane banoret e pare te Shkodres. Kete mendim e ka shfaqur mjerisht ne televizoret lokale,edhe ndonje intelektual. Sipas historianit te mirenjohur Prof.Dr. S.Pulaha ne vitin 1485 Shkodra numeronte 80 banesa me kryefamiljare. Kuptohet eshte periudha pas eksodit masiv te popullsise.
Ne fillim te shekullit XVI numri dyfishohet,pra arrin ne 162 banesa dhe ne fund te ketij shekulli arrin ne 282 banesa. Pas pushtimit otoman, veçanerisht pas ndertimit te ures se Bunes, formohet lagjia e quajtur Tejbuna, me vone formohet Tophana rreth viteve 1600-1610 e ashtequajtura "Mahalla e re", qe sot nuk ekziston, pasi eshte ne fushe te Bunes gati perballe ish ndermarrjes se peshkimit,nje ishull i formuar mbi murnajat e kesaj lagje.  
Ne fillim te shekullit XVIII u formua, me banore te ardhur kryesisht nga rrethinat e Mbishkodres, lagjia "Rus i madh", e ne vitin 1711 ngrihet aty edhe xhamia e lagjes.
Xhamia e lagjes Ndocej daton e vitit 1729, çka tregon se lagjia ne fjale eshte ngritur para kesaj date.
Gradualisht lagjia zgjerohet drejt veriut dhe ne mesin e shekullit XVIII, pikerisht ne vitin 1763 daton nje shtepi e madhe me çardak ne nje territor te ri, qe tani quhet lagjia "Dudas"dhe afer saj 2-3 shtepi shume te medha moshatare me te. Nuk e besoj se e ka marre emrin nga nje fare Dodet qe paska ardhe i pari aty, sepse po te ishte ashtu do ta quanin lagjia "Dodas" dhe jo "Dudas" siç quhet.
Njekohesisht qyteti fillon e shtrihet ne drejtim te veriut dhe veri-lindjes se kryepazarit,duke formuar lagjet "Perash", "Xhabije" dhe "Sirdare". Shtrirja e qytetit ne fushen ku eshte sot detyroi Valine qe te ngrinte nje sirdare (nje komande) sa me afer banoreve.Prandaj te gjitha shtepite prane kesaj komande u quajtun "Sirdare" e me vone lagjia "Sirdare". Perderisa "Xhamia e kuqe" mban daten 1745 (Xhamia e kuqe ndodhet ne kthesen perballe shtatores se Isa Buletinit per te shkuar te Ura "Dervish Beg") lagjia" Perash" eshte formuar perpara xhamise.
Domosdo qe lagjia "Perash i madh" eshte vazhdimi i "Perashit te vogel", xhamia e te cilet,"Xhamia e bardhe" ishte ndertuar ne nje pjese te territorit qe eshte sot shkolla "Ali Laçej", shume kohe para "Xhamise se kuqe".
Qyteti i ri, ky qe eshte sot shtrihej ne tre drejtime:
a) Ne drejtim te Tophanes, Ndocej, Dudasit dhe Kirasit.
b) Ne drejtim te Xhabijeve, Parruce e Fushe-Çele.
c) Ne drejtim te Perashit, Arres se Madhe, Serreqit.
Kete e vertetojne tri rruget qe niseshin nga kryepazari e zgjateshin ne drejtimet e lartpermendura dhe anasjelltas.
Qyteti gjithnje zgjerohej ne qendren e re domethene ne veri e ne veri-lindje te kalase. Sipas konsullit Austro-Hungarez ne Shkoder, Th. Ippen i cili shkruante ne fillim te shekullit XX se "… nga 150 vjet e ketej u formua ne fushe, ne veri-lindje te kalase, qyteti i ri (Shkodra)".
Thenie qe argumenton se Shkodra ku eshte sot , eshte formuar rreth 250-300 vjet me pare.
Numri i banoreve ne qendren e re, domethene aty ku eshte sot, u rrit me shpejtesi si nga banoret e lagjeve te vjetra Tabak e Ajasem, Alibegaj, Qafe etj. dhe nga banore te ardhur nga fshatrat çka e deshmojne edhe mbiemrat qe kishin e qe i ruajne edhe sot si: Kraja, Berdiaca, Kopliku, Bushati, Mesi, Juabani, Dobraçi, Shllaku, Shoshi etj.
Ndikoi ne rritjen e popullimin e zones se re fakti se trualli ishte me i mundeshem per tu gjete dhe ishte me i lire.
Nje pjese e banoreve qe iu prishen shtepite nga topat e Hafiz Pashes me 1835 e shtepite qe u shemben thuajse ishin rreth 960, u shperngulen nga qyteti i vjeter per ne qendren e re.Kane ndikuar gjithashtu edhe termetet e viteve 1815, 1837, 1852 ne shpernguljen e banoreve nga qyteti vjeter per tek i riu. Devijimi i Drinit,ne drejtim te shtatit te vjeter, pas vitit 1858, detyroi te shperngulen shume banore qe rrezikoheshin nga permbytjet e vazhdueshme.
Sipas kalendarit zyrtar turk (Salmane) me 1892, Shkodra kishte 14 lagje, pergjithsisht te ndara sipas besimit.Çdo lagje kishte nga nje qender te vogel, ku ishte xhamia ose kisha, furra e bukes e ndonje dyqan.
Rruget per kohen ishin te gjera dhe degezoheshin ne nje numer rrugicash te drejta ose me kthesa, por pa guxuar kush te prishte rregullin qofte edhe me 50 apo 20 cm.
Sipas botimeve te ndryshme, kronikave, datave qe gjendeshin ne ndertesa te ndryshme, veçanarisht ato te kultit, menyra dhe planimetria e ndretesave dhe e rrugeve, mesojme se qyteti u shtri gradualisht nga kryepazari ne drejtimin qe eshte sot.
Keshtu ne nje drejtim me "Perashin" u formua "Vekshari", "Draçini", "Luguçesmja", "Arra e madhe", "Serreçi","Ballabanja" etj. Per shembull, Kisha e Madhe filloi te ndertohej ne vitin 1858 si nevoje e banoreve te atyre lagjeve gjithnje ne rritje per ndertese kulti,kuptohet se lagjet perreth ishin formuar shume me heret.
Ne drejtimin veriore te Pazarit te vjeter vazhdoi shtrirja e qytetit ne lagjet"Sirdare", "Vorret Koplikej", "Xhabije", "Baja e vogel" e me rralle: "Parruce", "Fushe-Çele","Gjuhadol", "Truma e dugajve te reja","Rusi katolik"kisha e te cilit daton ne vitin 1920, e tjere.
Ne drejtimin e "Tophanes" vazhdon me lagjen "Ndocej" xhamia e te ciles daton me 1729 te dy me "Garucin" qe si mbiemer ndeshet qe me 1738,"Dudasi" ne mesin e shekullit te XVIII, "Kirasi" gjithashtu dhe lagjia "Dergut" xhamia a te cilit daton ne vitin 1772.
Ngjitur me te formohet gradualisht lagjia "Rus i vogel" ku ndeshemi me dy xhami, e para ne veri-lindjes lagjes e vitit 1725-1730, e dyta xhamia "Begas" e vitit 1750, qe ndodhej afer nderteses se teatrit "Migjeni". Kjo tregon se lagjia erdhi duke u shtrire nga veriu drejt jugut.
Pas formimit te lagjes "Zdrale" dhe "Parruce" rreth viteve 1770-1780, qyteti i ri merr nje fare pamje qe do te ishte si baze e qytetit te sotem.
Ulja nga kalaja e administrates turke ne vitin 1865, shenon thuajse edhe fundin e qendres se vjeter te Shkodres.
Pas ketij momenti qyteti i ri filloi te rritej me shpejtesi duke theksuar ndarjen e qendres zejtare-tregtare nga ajo e banuar e duke e zbehur gradualisht rendesine e pazarit te vjeter.
Si berthame kjo lagje pati nje territor te vjeter afer xhamise se vjeter e gradualisht "Parruca", si lagje vazhdoi te rritej me shpejtesi. Shperngulja e administrates turke nga kalaja, ne lagjen "Parruce" ne kompleksin administrativ ku ka mbetur ne kembe vetem ndertesa e gjimnazit dhe e Prefektures, ndikoi shume ne rritjen e zhvillimin e kesaj lagje.
Si lagje "Parruca " perfshinte territorin qe kufizohej me lagjet:"Perash", "Baja e vogel", "Xhabije", "Garuc", "Zdrale", "Fushe Çele", "28 Nentori".
E favorizuar nga qenia ne te e administrates shteterore, ajo pati mundesi te zgjerohet e ti shtroje rruget e sheshin, te ndriçohet me shpejt e me shume se lagjet e tjera. Sheshi i saj u be qendra e qendrimit te karrocave qe transportonin pasagjere nga lagjet e tjere e veçanarisht ne Pazar te vjeter. Te gjitha keto bene qe ne "Parruce" te ngrihen dyqane relativisht te medhenj, e me vetrina.
Ne vitin 1815 nje i huaj shkruante per "Parrucen" "…. megjithese lagje e re, ne "Parruce", jane ndertuar dyqane te bukura si ne Europe."
"Parruca" krahasuar me lagjet e tjera dhe me qytetet e tjera u zhvillua aq shume sa kur dikush mendonte te bente diçka te bukur thoshte: "Do ta bej Parruce".Kjo shprehje perdoret edhe ne Tirane edhe ne Kukes etj. Kur dikush e kishte ndriçuar mire ambjentin i thonin "E paske ba Parruce".
Ne "Parruce", perveç institucioneve kishte dyqane per te gjitha llojet e sherbimeve , kishte furra buke, klube, restorante, etj. dhe shkollen shume te njohur me emrin "Shkolla e Parruces".

Marre nga Libri “Shkodra bastion i qyteterimit shqiptar”
Autori:
Agim Parruca


Monday, December 5, 2011

Prelud dimni

 
 
 
 
 
 
 
Vjeshta s'po don me ikë..., veç ledhaton me shina të imët syprinat e etuna e i përdridhet dimnit idhnak, tue hapërda do re naziqe ndër qiejt e malluem për gjama stuhish...
Pemët e zhveshuna, mundohen me ju rezistue ernave vjeshtore e shtrëngojnë me afsh të fundmet gjethe të kuqërremta, që u ngjajnë buzëve të njomëzakeve tek ecin të shkujdesuna bordurave të parqeve. Zogjtë shtegtarë ka kohë që kanë ikë, të penduem që s’mujtën me parashikue huqet e vjeshtës. U nisën të heshtun në karvanet qiellore e lanë pas çerdhe të brishta ndër qoshe ballkonesh, ku era kolovit çarçafët e bardhë, që duket sikur ndjellin borën e vonueme.
Nga malet përkarshi vijnë përditë e ma të forta ushtimat e acarta të tufaneve, kurse bardhësia që u ka veshë shpatet e pjerrëta, u jep mister e hijeshi viganësh.
Fshesaret, pasi i mbledhin gjethnajat ndër grumbuj shumëngjyrësh, i ngarkojnë ndër do thasë grykëgjanë, të cilët hidhen sipër karrocerive të makinave kabahe e përfundojnë ndër gropat e hapuna në periferi, ku, të bindura, presin pranverën për me plehnue tokat e ashpërsueme prej akullit e brymës së ngime.
Qafat e vogëlushëve janë mbështjellë me shalle të leshta e kambët u lagshtohen ndër pellgjet e rrugicave, kur rendin pas topit ose hallakaten ndër oborret që gumëzhijnë hareshëm prej zanave të tyne.
Çadrat e hapuna kullojnë ndër duer elegante e qielli asht nder mbi pllakat tekanjoze të trotuareve. Xhamat e vitrinave tundohen prej avujve të ekspresëve e tymnajat e kafeneve krijojnë një cak të papërballueshëm pritmënie.
Vjeshta ndihet e dobët dhe nuk i reziston ma trokitjes idhnake të dimnit, që e detyron t’i hapë portën e t’i dorëzojë, e lodhun, qytetin zhurmëmadh. 
 
Rozafa Shpuza