Tuesday, January 24, 2012

E përtejme


 

 
Ka rrjedha në jetë që të vërvisin kah do hone ma të ftohtë se dimni, ma të akullt se hejet e pullazeve pa tym oxhakësh, ma memecë se heshtja. Atje mediton e përmallueme e rrahjet e shpeshta në krahnor  kot mundohen me të shkri vështrimin e ngrimë ndër do shkronja që si kumrijat rreken me të thanë shumë... Mundet me ra shi e me fshi gjurmët e lotëve; bora me fjollat e saj mundet me të zbardhë zymtinë e shpirtit; era mundet me fry si e çmendun e me të shty si pendë ndër rruginat e ngushta të askundit; mjegulla mundet me mblu shtigjet e me mshehë sinjalet e semaforëve, por kambët kanë me të çu vetë për atje.
Atje nuk ka orare pritjesh, as rralla të gjata, as trafik të ngarkuem. Për atje nisesh kur pesha e kujtimeve të ka mposhtë e ndihesh e këputun. Për atje hapëzon e përhanun kur shpirti të asht fikun e kërkon me marrë nji shkëndijë. Rrugës për atje dihat’, por nuk mbushesh me frymë. Baptima e hapave pipëtin nëpër atë shteg që zgripohet tek ajo banesë që s’ka as portë, as mure. Banorët e atjeshëm i përkasin së përtejmes, prandaj rojtari mundet me dremitë i qetë.
Futesh dhe e din ku duhet me u ndalë. Si e mpieme, lëshon mbi mermerin e ftohtë do lule, që, si për çudi, i kanë rezistue ngricës dhe ashtu e ngurtësueme fillon komunikimin me të përtejmen. Kujton, premton, loton, por nuk ke frymë me ndenjë gjatë aty. E përtejmja ka depërtim therës në shpirt e ti s’mundesh me i rezistue për shumë kohë. Të duhet me i kthye krahët e me fshi lotët, teksa ndihesh ma e kthjellët e zemra të rreh ma e qetë...
Tashma kalldrëmit i ka shkri bryma e gurët i shndrisin prej rrezeve të diellit dimnor. Grizhlat lodrojnë ndër qiparisat shtatnaltë, që me heshtjen e tyne të amshueme, duket sikur lidhin dy botë. Mjegulla asht davaritë e qielli kapërdin nji tejpamje të kristaltë. Hapat i hedh ma ritmikisht e sytë i ke ma të ujshëm. E përtejmja të ka dhanë energji e ti i rikthehesh së përditshmes e tjetërsueme.
Rozafa Shpuza




No comments:

Post a Comment