Wednesday, January 11, 2012

Vargje nga poetë shkodranë (3)




Ledia Dushi

----
me mujtë me fjetë me kthimin
e pemëve t`mbytuna
e thirrmat e mija shpendve
zotnuesa t` trishtimit t`paqiell
kasolle t`lëshueme e barka mejtimi
pluskojnë e cekin
flamë buzësh e kurrgja s`ashtë n`stinë…
me mujtë me kthimin e pemëve me fjetë
n`mos n`Shpirt Dimni diku asht



Anton Cefa

Motiv i dikurshëm shkodran
Drini i lau kambët Kalasë
e dielli, tue u rrëzue mbas Taraboshit,
ia fali lulkuqin e fundit
të ditës.
Puthin aroma lulesh
muret e oborreve të randueme nga shermasheku
e shtëpitë, të mbetuna në gryka blerimesh,
kërrusen
nën peshën e lodhjes së mbramjes
e të qiellit në perëndim.
Krismat e dyerve, që mbyllen njena mbas tjetrës,
dhe të gjitha zhurmat tjera
shuhen ngadalë në valët e liqenit.
Nën nina - nanën e bulkut të natës
dremitin rrugët e vetmueme.
E Shkodra flen.


Alfred Çapaliku
Stina e gëzuar

Si frynin erërat e stinës ashtu mbrëmë,
Sikur pranvera jepte koncert me tre violinistët
e muajve të saj,
Në sheshet e rrugëve dhe periferitë.

Si endeshin të dashurit nën ombrellat gazmore,
Dy nga dy
Dhe shpërndaheshin mes blerimit nën ritmin
e shiut.

Të gjitha këto ndodhën mbrëmë,
Kur të prisja ndanë një BAR-i
Dhe emrin ta gdhendja në avujt e xhamit.


No comments:

Post a Comment