Monday, February 27, 2012

Vit i brishtë - Rozafa Shpuza







I fërkoi mirë duart me njëra-tjetrën e mezi mundi të mbante mes tyre copën e vogël të sapunit të tepruar në cepin e lavamanit të cikatur, që s’mbahej mend qysh kur ishte vendosur në atë cep barake. Pas çdo dite të lodhshme ai e kryente këtë rit vetmitar duke u lutur që me ujin, i cili i rridhte furishëm ndër gishta, të hiqte nga vetja dhimbjen e asaj ngjarjeje e mos t’i shtonte jetës së tij të tjera vuajtje. Ishin të rralla, shumë të rralla ditët kur nuk i duhej të përcillte me shpirtin copë kortezhet e përmalluara të të afërmeve të atij që tanimë prehej në atë kuadrat të paqtë..., kuadrat të gërmuar me aq mundim prej tij. Por askush s’e vinte re, askush s’e përshëndeste, askush s’ndalej ta falënderonte për punën e tij e t’i jepte një cigare, por të gjithë kalonin të përkulur nga dhimbja duke zvarritur hapat.
Ishin bërë shumë vjet që luante rolin e personazhit anonim në këtë tragjedi me shumë akte, por pas saj, në buzëmbrëmje, ngutej të mbyllte siparet e të çapitej i rraskapitur në kthinën e tij të vjetër e të harruar. Megjithëse kishte dalë me kohë në pension, punonjësit e bashkisë nuk gjenin dikë tjetër që ta zëvendësonte, ndaj ai vazhdonte të merrte çdo ditë porosi dhe t’i kryente ato me përkushtim të madh. Ndiente njëfarë lidhjeje shpirtërore me ato objekte të heshtura që ndaheshin në tri kategori: të vogla, të mesme dhe të mëdha, dhe ai ishte shumë i saktë kur gërmonte dheun kryeneç që i bindej me vështirësi piketimeve të bëra me ca pyka të drunjta të bashkuara me një spango të trashë.
Pranvera dhe vjeshta ishin stinët e preferuar për të, se dheu, që ishte njomur nga shirat e shumtë, shkrifej me lehtësi, kurse në dimër e në verë temperaturat ekstreme e bënin atë të ngjeshur e të pajetë dhe kazma përplasej mbi të e nervozuar pa mundur të zhvendoste sasi të mëdha. Kjo gjë e lodhte dhe e sfiliste plakun e gjorë, se muskujt e krahëve ishin lëshuar krejt e duart e mëdha e kishin humbur forcën e dikurshme. E kështu, çdo mëngjes, me telepatinë e një gjeniu, ai e parashikonte se sa punë do të kishte atë ditë dhe llogariste me hollësi se cilët ishin muajt më të zymtë në atë parcelë të heshtur gjigante që rrethohej me një gardh elegant telash, i cili kryente vetëm funksion dekorativ, se askush nuk tentonte të futej aty.
Dy fëmijët e tij ishin martuar e kishin ikur larg, kurse e shoqja kishte vite që prehej nën një selvi gjelbëroshe pak të anuar nga era. I afrohej shpesh asaj selvie e zemra i qante kur përhumbej ndër kujtimet e rinisë e ashtu, me lot ndër sy, i lutej që ta priste edhe pak se shpejt do të ishin prapë bashkë si dikur. Këto fjalë ia thoshte çdo Vit të Ri, kur bora zbardhte mermerët memecë e gjithë njerëzia gëzonin. Po ç’gëzim do të kishte ai, përveç ndonjë kartoline nga përtejdetit me fjalët standarde në fund të saj: “Na vjen shumë keq që s’mundëm të vinim dot këtë Vit të Ri, por të premtojmë se vitin tjetër do të jemi patjetër atje.” Ai e dinte fort mirë se premtimi i tij nën atë selvi qyqane ishte i ndjerë e do të realizohej këtë vit, ndryshe nga premtimet e kartolinave shumëngjyrëshe që përsëriteshin e mbesnin në ndonjë cep të mykur sirtari të komosë së vjetër të martesës. Nuk e habiste më telepatia e tij, ndoshta për faktin se duke u endur çdo ditë mes atyre kuadrateve të bardha, të radhitura me një perfeksion të dhimbshëm, kishte arritur të komunikonte me të përtejmen e kjo gjë i dukej krejt normale.
Nga përvoja e tij e gjatë kishte mësuar t’i ruhej shkurtit, se ai ishte i pabesë e me ngricat e tufanet e acarta bënte që të gjallët të dukeshin më të akullt se miqtë e tij të padukshëm. I druhej fort këtij muaji e do të donte që ai të ishte edhe më i shkurtër se aq, edhe pse kishte më pak punë ato ditë, se të gjithë strukeshim afër zjarrit e me një çaj të nxehtë sikur e hidhnin pas krahëve, pa iu dashur të vizitonin atë vend të rrethuar me gardh elegant.
Atë vit, si për çudi, filloi t’i rrumbullakoste të gjitha ditët e shkurtit në kalendarin e varur mbi murin e plasaritur, që s’i dallohej më ngjyra e lyerjes së fundit, e kur shkoi te 28-ta mori frymë i lehtësuar se mendoi që i shpëtoi atij muaji idhnak e do kishte kohë deri në pranverë të mbante premtimin e tij.
Në mëngjes, kur dikush trokiti për porosinë e ditës, e gjeti të pajetë me sytë nga kalendari, ku kishte mbetur e parrumbullakosur vetëm data 29 shkurt.

20 maj 2011  

(Marrë nga libri "Kohë ikonash")


Wednesday, February 15, 2012

Lojë avujsh


Pasqyra asht veshë me nji vel të njitrajtshëm avullit dhe silueta jeme n'të mezi dallohet. Uji që rrjedh furishëm prej dushit më krijon ndjesinë e nji dite me shi. Kjo ndjesi shpesh më përhumb. Rrëketë derdhen papushim e pasqyrës i zbehet përherë e ma shumë vetia e imitimit, prandaj tasheparë e fshij me gishtat e lagun. Në pjesët e vijëzume nga gishtat tinëzon imazhi i trupit tem të shkumuem, që i asht dorëzue krejt kënaqësisë së këtij çasti. Marrëdhania që krijohet mes meje dhe pasqyrës asht kaq e veçantë, sa, e pazoja me e zgjidhë këtë enigmë, filloj me këndue nën ritmin e rrëkeve.
 Se kush e ka vu atë pasqyrë aty e çfarë ka pasë ndërmend, s’e di, por e ndiej se prania e saj ka njifarë misteri. Ashtu e zhveshun jam krejt e pambrojtun prandaj mundohem me u mbulue me shkumën e bardhë.
 - Kot lodhesh me u dukë ajo që s’je! – më bahet sikur ndigjoj zanin e pasqyrës.
 - Pse po m’i thue këto fjalë? – e pyes qejfprishun, por pasqyrën e ka mbulue krejt mjegulla e unë s'mund të vazhdoj dialogun me asgjanë.
 Provoj me e fshi prap, por tisi i avullit asht dendësue e pasqyra ka humbë rishtas vetinë e saj. Tashma silueta jeme asht zhdukë e mu më kap ankthi i shpërbamjes. Ul kryet e provoj me kriju nji imazh real. Ngaqë sytë nuk ja mbrrijnë, duert mundohen me plotësue pjesët e pazëllit cullak, por asht e pamundun. Më duhet patjetër prania e pasqyrës. Saora kujtohem me e mbyllë çezmën. Sapo rrjedha e ujit ndërpritet, pasqyra fillon me u mburrë me vetitë e saj. Ndihem ma e qetë teksa përballem me siluetën e mjegullueme të trupit tem. Por, pa rrjedhën e ujit që më kujton shiun, magjia e këtij çasti humb, avulli zhduket, pasqyra bahet përherë e ma e tejpashme e format e trupit tem përherë e ma reale.
 - Kaq e shëmtueme jam? – belbëzoj e sytë më djegin prej shkumës që rrjedh nga flokët.
 - Nuk të kam pa asnjiherë ma të bukur, - meket zani i mjegulluem.
 Dëshiroj me u përsëritetë ai za, por asgja s’pipëtin. Ndoshta më kanë ba veshët, prandaj hapi me ngut çezmën, me shpresë që uturima e ujit me m’thanë diçka. Rrëketë fillojnë e harbohen në format e harkueme të trupin dhe silueta më hupë prore n'gojtë e mjegulles.
 Po më lodh kjo lojë e pasqyrës, s’po e njoh ma vedin! Ajo ka lujtë me mirazhe  e unë u jam përulë e bindun atyne tekave. Sa kohë ka vazhdue me m’joshë ky mirazh i mjegulluem? Nuk e di. Ndoshta gjithmonë. Kajherë mendoj se qyshkur kam fillue me komunikue me atë pasqyrë kam hamendesue peqafime që pres me i perjetue? Dal shpejt prej asaj humnere avullit dhe ftohtësia e pllakave më bjen në vedi.
 Jashtë fëshfërijnë degët e përqafueme të nji pjeshket, që sa ka fillue me çilë lule brishtake. Trupi avullon e i ban xhamat e dritares me e hupë paksa tejpashmëninë. Kam dëshirë të marrë me iu dhanë dikujt e ngutem me vizatue me gisht mbi xham portretin e atij që kurrë s'e takova...

rozafa shpuza



(Shkurt 2012)

Tuesday, February 7, 2012

Vargje në gegnisht - Rozafa Shpuza



N’harrim

S'bëzan,
por rimon si fjollat e borës
me pejzat e brishta
t'shpirtit mëkatar.
E unë rrekem
me t'harru ambël,
siç bajnë buzët
me puthjen e parë... 
 
(1.2.2012)

* * *
 
Ty
 
U nisa
ndër rrugina
të përthyeme prej tingujsh
t'kacafytun.
U rroka
me qerpikë t'thinjun
prej pritjesh ndjellakeqe.
U putha
prej buzësh mavi
që harbohen
ndër epshe grilash t'blerume,
e shterova
ndër faltra t'mallit
endacak...
 
(4.2.2012)
 
* * *
 
Borës
 
N’nji valle t’marrë
që ngutet me dremitë
ndër pragje t’bardha.
N’nji shteg t’harrum
që rreket me kujtu
trokun e hapave t’mramë.
N’nji pritje t’rreme
që kaherë endet
ndër pulitje sysh
t’mallum.
Ti s’lodhesh tuj ra
fjollë-fjollë...
 
(6.2.2012)