Pasqyra asht veshë me nji vel të
njitrajtshëm avullit dhe silueta jeme n'të mezi dallohet. Uji që rrjedh
furishëm prej dushit më krijon ndjesinë e nji dite me shi. Kjo ndjesi shpesh më
përhumb. Rrëketë derdhen papushim e pasqyrës i zbehet përherë e ma shumë vetia
e imitimit, prandaj tasheparë e fshij me gishtat e lagun. Në pjesët e vijëzume
nga gishtat tinëzon imazhi i trupit tem të shkumuem, që i asht dorëzue krejt
kënaqësisë së këtij çasti. Marrëdhania që krijohet mes meje dhe pasqyrës asht
kaq e veçantë, sa, e pazoja me e zgjidhë këtë enigmë, filloj me këndue nën
ritmin e rrëkeve.
Se kush e ka vu atë pasqyrë aty e çfarë ka
pasë ndërmend, s’e di, por e ndiej se prania e saj ka njifarë misteri. Ashtu e
zhveshun jam krejt e pambrojtun prandaj mundohem me u mbulue me shkumën e
bardhë.
- Kot lodhesh me u dukë ajo që s’je! – më
bahet sikur ndigjoj zanin e pasqyrës.
- Pse po m’i thue këto fjalë? – e pyes
qejfprishun, por pasqyrën e ka mbulue krejt mjegulla e unë s'mund të vazhdoj
dialogun me asgjanë.
Provoj me e fshi prap, por tisi i avullit asht
dendësue e pasqyra ka humbë rishtas vetinë e saj. Tashma silueta jeme asht
zhdukë e mu më kap ankthi i shpërbamjes. Ul kryet e provoj me kriju nji imazh
real. Ngaqë sytë nuk ja mbrrijnë, duert mundohen me plotësue pjesët e pazëllit
cullak, por asht e pamundun. Më duhet patjetër prania e pasqyrës. Saora
kujtohem me e mbyllë çezmën. Sapo rrjedha e ujit ndërpritet, pasqyra fillon me
u mburrë me vetitë e saj. Ndihem ma e qetë teksa përballem me siluetën e
mjegullueme të trupit tem. Por, pa rrjedhën e ujit që më kujton shiun, magjia e
këtij çasti humb, avulli zhduket, pasqyra bahet përherë e ma e tejpashme e
format e trupit tem përherë e ma reale.
- Kaq e shëmtueme jam? – belbëzoj e sytë më
djegin prej shkumës që rrjedh nga flokët.
- Nuk të kam pa asnjiherë ma të bukur, - meket
zani i mjegulluem.
Dëshiroj me u përsëritetë ai za, por asgja
s’pipëtin. Ndoshta më kanë ba veshët, prandaj hapi me ngut çezmën, me shpresë
që uturima e ujit me m’thanë diçka. Rrëketë fillojnë e harbohen në format e
harkueme të trupin dhe silueta më hupë prore n'gojtë e mjegulles.
Po më lodh kjo lojë e pasqyrës, s’po e njoh ma
vedin! Ajo ka lujtë me mirazhe e unë u
jam përulë e bindun atyne tekave. Sa kohë ka vazhdue me m’joshë ky mirazh i
mjegulluem? Nuk e di. Ndoshta gjithmonë. Kajherë mendoj se qyshkur kam fillue
me komunikue me atë pasqyrë kam hamendesue peqafime që pres me i perjetue? Dal
shpejt prej asaj humnere avullit dhe ftohtësia e pllakave më bjen në vedi.
Jashtë fëshfërijnë degët e përqafueme të nji
pjeshket, që sa ka fillue me çilë lule brishtake. Trupi avullon e i ban xhamat
e dritares me e hupë paksa tejpashmëninë. Kam dëshirë të marrë me iu dhanë
dikujt e ngutem me vizatue me gisht mbi xham portretin e atij që kurrë s'e
takova...
rozafa shpuza
(Shkurt 2012)
No comments:
Post a Comment