Monday, November 26, 2012

Grizhlat fatsjellse




Teksa muzgu kacavirrej me ngut ndër faqet e pjerrëta të asaj ngrehine gri, altoparlantët ulërinin me za krejet gjithfarësoj lajmesh. Nuk dihej pse arkitekti pat’ vendosë që strehët të ciknin token e ndërtesa të kishte atë pamje të zymtë, por, si pa e kuptue, kjo gja i bante kalimtarët që shetisnin në sheshin rrotull saj me pëshpëritë.
-        A njitena në maje? – tha vajza, tue e prekë lehtë me buzë rrazë veshit.
-       Kam frikë – belbëzoi djali, që e kishte kaplue nji afsh e mezi priste me e përpie ndër krahë.
Zani i tij u zbeh prej jehonave marramendëse të pasdites. Ishte prag feste, prandaj ndër ndriçuesit e rrugës ishin varë do flamurë gjatosh, që thuhej se kishin pasaktësi në formë (sqepi i shpendit dykrenar kishte deformime). Me siguri, ndonjë disenjator i rastësishëm kishte hekë ndonjë detaj e kishte shtu ndonjë tjetër, pa mendue për pasojat. Mandej ai model, tue u shitë ma lirë, ishte shpërnda si farat në erë. Si përherë, këto gjana bajshin bujë e rrokopujeshin ndër bisedat e tymosuna të varg-lokaleve ndër katet e para të pallateve. Eh, çfarë telashit!
Ata të dy nuk dojshin me ia ditë as për lajme, as për marshe festive... Dielli kishte mbërrit kulmin e trekandëshit të pshtjellun me zgip-muzg e vajza u nis e para me zanë rrezet e fundit bojshegë të perëndimit vjeshtak. Djali e ndoqi si me mëdyshje tue ecë kambadoras ndër paretet e rrëshqitshme të asaj pjerrtësie shterpe.
Tekembramja mbrritën në maje tue dihatë e sytë i shdritshin prej kënaqësijet. Në atë naltësi të përshjellueme prej galdimit të diell-hanës, ata ngjajshin me grizhlat fatsjellëse, që, kur pushojnë ndër pragje dritaresh, i bajnë me andrru t’zotët e shpisë. Flokët ja shpupurishi valëvitja e ethshme e nji flamuri me madhësinë e mrizit të përflakun të reve mbi ta. Nuk dalluen asnjë deformim, teksa purpuri i tij mbështolli epshimin e trupave gati me u ba nji.
Kurrë ma parë ngrehina trekandëshe nuk kishte rrezatue të tillë mirësi... 


Rozafa Shpuza

No comments:

Post a Comment