Shi, shi e prap shi... Pellgje që përmbyten prej melankolisë,
strehë që pikojnë mall, gjeth që rreken me mblu lakuriqësinë e parqeve të
braktisun, hapa që lagen prej naivitetit të rrugicave biramele, çadra që përkunden
nën ritmin e kalimtarëve të rrallë, foto albumesh të zverdhun ndër mote, zjerm
e gështenja që gërsasin si me dashtë me të kthye në kohë...
- Mirë
se të gjeta, qyteti im!
Ai më përgjigjet me vikatjen e nji bubullime që shkapetet
ndër xhamat e dritareve e kthehet prap për me u ba nji me zigzaken e zjarrtë që
përshkon hapësinën. Qyteti asht mësu me këto flirte qiellore e laget tue ba
sehir, ashtu i qetë e hirplotë.
Mbas
shiut, askush s’e ven re avullin që ngutet me rrokë retë, teksa rrezet joshëse
të diellit perkëdhelin me gishta të brishtë gjokset e limuta të pellgjeve buzë
bordurave delikate. Fëmijët i përshkojnë
tërthor këto pellgje tue i shkapërcy me hapa lozonjar. Diku, mbas mureve të
nalta të oborreve, teshat e nderuna në tel përkunden prej erës së ftohtë që
fryn prej Cukalit.
Prej
nënhatllash ndihet përplasja e krahëve të pëllumbave, që, tue gugatë, nisen me vizatu
nji vorbull bardhoshe në ajrin e lagështuem, e mjegulla hapërdahet befas. Edhe
tjegullat e stivueme përsosmënisht avullojnë e mirazhi që shëtit mbi to kapërthehet
me tymin e oxhakëve që vetmojnë si krijesa mitike.
Grilat kurioze çilin
sytë jeshile e rrugët
e qytetit gjallnohen, por askush s’ia ven re peshën mbi supet e lodhun, askush s’ia
ndjen dihatjen që i përngjet frymëmarrjes që gufon krahnorët e dashnorëve para
puthjes së parë, askush nuk ia përkëdhel britmat e shpirtit, anipse secili
asht nji pore në lëkurën e tij të mplakun...
Naten ka me piklu prap shi. Gjithçka ka u perserite si ne ritualet e legjendave e shpirti i ketij qyteti te moçem ka me u riperteri tue rrezatu miresi e mister.
Naten ka me piklu prap shi. Gjithçka ka u perserite si ne ritualet e legjendave e shpirti i ketij qyteti te moçem ka me u riperteri tue rrezatu miresi e mister.
Rozafa Shpuza
No comments:
Post a Comment