Monday, May 27, 2013

Mesazh vetimash - Rozafa Shpuza


    Fluturimi i shkujdesun i nji kumrije e grinosi edhe ma fort vransinën që kaploi supet cullake të qytetit heshtak, por banorëve indiferentë nuk ju bajnë ma përshtypje tekat e shiut që derdhet turrshëm mbi syprinat shterpe. Tjegullat, mbasi pijnë të etuna hurbat e para, fillojnë me shfry dufin ndër ulluqet që gurgullojnë prej kënaqësisë. Harqet perfekte të çadrave përcjellin teposhte epshin e lagshtuem të bojnave të tyne, kurse trotuaret rreken kot me i dhanë formën kaotike të pllakave rrëkeve hujlije. Mjafton nji përplasje grrilash prej turfullimit të erës që pellgjet me zaptue rrugë e rrugica.
    Shiu nuk ka nji stinë të tijën. Ai bubrron ngeshëm ndër ta tue shkërmoqë përcaktimet strikte të kalendarëve e parashikimet hermetike të meteorologëve.
    Ma ka anda me ecë nën shiun që më rrok me gishta elegantë. Flasim me kode pikash marroqe e prajtaz bahem e tija pa mujt me i rezistue prekjes fatale ...
    - Ma nis nji mesazh vetimash!
   Medet, vetimat shkrepin rrallë e unë ndjej mall për mesazhe zemre. Eci e përqafueme me shiun. Hapat pllaquriten tue turbullue imazhin tem ndër to. Bubullimat shprazen ndër skuta memece e më pëshpërisin se dalldisjet e shpirtit janë fluturake e fiken shpejt... Kur lotët më kanë kërrusë, rrathët e pikave ndër pellgje i zhbajnë zgripet e dashnive të bjerruna... Kur eci kuturu, pa e ditë stacionin e mbramë, strehët pikojnë përmallshëm e më drejtojnë kah nji prag mikpritës...
  Sa herë kthehem prej shtegtimeve të lodhshme, s
hiu bjen pa pra' e furia e tij më davarit ankthin e pritjes së kapërthyeme ndër akrepa që rrotullohen në vedi pa shënue asgja. Vransina shkapetet në mue e ngjyra e syve më tjetërsohet tue ju përngja orgjisë së reve të mbarsuna me shi. 
E di se kam me ikë e prap kam me u kthye, se vetëm këtu mund të marr mesazhe vetimash permes kodit të heshtun të shiut...

Thursday, May 9, 2013

Monologu i kulles - Rozafa Shpuza










Maji ia behu i lagun. Bubullimat u zhdavariten ankthshëm ndër skajet e mshehta të qytetit, si me dashtë me tutlue ndjesinë e ambël që u sjell njerëzve idili i petaleve të virgjëna. Prej qosheve të strukuna të ballkoneve ku rigojnë cicërima të reja, dallnyshet u vorbulluen të shkujdesuna e preken me sqep pellgjet kurioze të rrugës tue i pëshpëritë se shiu ka me vazhdue gjatë.
Kulla e damkosun me tre rrathë orësh të zhguluna tinzisht më vrojton çuditshëm e jehona të trembuna shkapeten dreqnisht në mue. Mirazhi i akrepave të ndryshkun rrotullohet tue shenjue premtime të shkoklueme e fusha e gurtë e orës heshton e marrosun prej theqafjeve të tyne. Zhytun në misterin e kujtimeve, kulla gri hepohet ndër barqe resh të mbasuna me rrëke e pengjet e tik-takeve më ngulen thellë në bebet e syve.
Pres me shpresë nji çast të pështjellun me tisin e fundnatës e pragditës, kur akrepat të rrokin sho-shoqin e kumbont të shkundin 12 herë vransinen, por gjithçka asht zhba...Saora ritmi i shiut imiton tik-taket e mekuna e siluetat e orëve të moçme enden ndër gurt e ftoftë të kullës gjatoshe. 
A thue këta tik-take rrebele po rreken me m'diftue sekretin e orëve që vikasin prej s'lagtit? Shiu lag papra tingujt memece te kumbonve e bashkë me ta edhe pritjen teme. Prajtaz, epshi i vetimave ther syprinën e pellgut bri kambëve të kullës me tri silueta orësh që enden mistershëm ndër rrugicat e këtij qyteti që veç laget ...






9 maj 2013