Louis Aragon (1897-1982) - poet i famshëm francez, përfaqësues i letërsisë surrealiste
NËPËR TË GJITHA DYERT TI MË IKE
Nëpër të gjitha dyert ti më ike
Në të gjitha shkretëtirat më le
Në agim të kërkova dhe në mesditë të humba
Kudo që vajta ti nuk qe gjëkundi Kush mund ta përshkruajë Saharanë e një dhome pa ty
Turmën e të dielës ku s’të ngjan askush
Një ditë më të zbrazët se moli që zgjatet në det
Heshtjen ku të thërras e ti nuk më përgjigjesh
Ti më le dhe njëherësh pranë meje ke mbetur
Më le gjithkund më ike nga sytë
Nga zemra e ëndrrave
Më le si një frazë e mbetur përgjysmë
Si një send i hedhur rastësisht si një karrige
Si një vend pushimi në të dalë të verës
Si një kartolinë e harruar në sirtar
Çdo gjest më shkëput nga ti
Si një gjethe që bie nga pema
Vështrimi yt mbi mua të gjorin
Qe një psherëtimë ku unë mungoja
Si nuk t’u dhimbs hija jote që te këmbët rrinte
Teksa e shtrëngoi ndër krahë dhe e solli me kujdes nga vetja, një ofshamë u përplas fort në xhamat e ftohtë të vitrinës. Ai qëndronte aty para saj, i gatshëm për t’ia plotësuar të gjitha tekat, ndërsa jashtë gjithçka zbardhte akullsish e era sillej nervoze nëpër hapësirat boshe, sepse ngrica s’e lejonte të tunde asnjë degë peme, asnjë halë pishe, asnjë kanat dritareje. Njerëzit e rrallë që kalonin, duke matur mirë hapat në trotuaret rrëshqitëse, dukeshin qesharakë ashtu të strukur ndër rrobat e leshta.
Edhe ai duhej të ishte i veshur mirë për të sfiduar atë stinë të bardhë, për më tepër, i duhej të bënte kujdes që ngjyrat e rrobave të ishin sa më të kombinuara, që të binte në sy, pasi, në fund të fundit, ky ishte qëllimi i ekzistencës së tij. Ajo i hodhi një shikim indiferent fytyrës së tij me atë buzëqeshjen e skalitur në të dhe syve, që nuk e kishin shuar ëmbëlsinë që kur ishin takuar për herë të parë. Priti që nga buzët e tij të dilte ndonjë fjalë, por i gjëmoi ndër veshë veç tingulli metalik, i cili kumboi kobshëm atë pasdite nga telefoni i zi statik, që kishte vite në atë qoshe korridori. Se si mund të ndaheshin dy njerëz që duheshin aq shumë veç nga një telefonatë, këtë ajo s’do të arrinte ta kuptonte kurrë. Po ja që ai u zhduk bashkë me jehonën e zërit, që u përplas ndër muret e lagështuara dhe u shpërbë mistershëm. E kishte kapërdirë sa herë ngashërimin që i vinte deri në grykë dhe i kishte përcjellë lotët e hidhur pa mundur të bënte asgjë tjetër për të ndrequr atë theqafje ndjenjash.
U përmend nga trokitja në xham e një kalimtari që e përshëndeti miqësisht dhe vazhdoi e qetë të merrej me atë që kishte përpara. Meqë ai ishte pak më i gjatë, ajo u zgjat në majë të gishtave që t’i rregullonte shallin, i cili i shkonte mrekullisht me kapuçin dhe dorezat, pastaj i preku lehtë supet dhe butësia e trikos blu i dha një ndjesi ngrohtësie. Bëri dy hapa prapa që të mund ta sodiste me admirim atë që tashmë, me duar të shtira përpara, kishte marrë një pamje perfekte. E ç’i duhej më shumë për të qetësuar shpirtin e saj të trazuar sesa një buzëqeshje e dëlirë, një vështrim i ëmbël dhe një palë krahë gati për ta përqafuar?
Bora, që filloi të binte sërish, sikur deshi ta shoqëronte në ecejaket e mendimeve të saj, që shpesh arratiseshin pa cak, ndërsa sipërfaqja e lëmuar e banakut, ku mbështeti bërrylat, u turbullua nga avulli i frymëmarrjes së saj të shpeshtuar. Atë çast dera u hap rrufeshëm dhe brenda hyri një djalë brun, që hukaste duart e ngrira nga acari i asaj dite të ftohtë dimri. Krejt shkujdesshëm, ai i buzëqeshi dhe foli shpejt si për t’ia davaritur disi atë çoroditje që e kishte kapluar:
- Ju lutem, më jepni një palë doreza si ato të manekinit të vitrinës!