Friday, September 28, 2012

Mes dy dashnish - Rozafa Shpuza


(c) rozafa shpuza






Në pragmuzg, kur rrezet dembele po i aviteshin ngeshëm majës së Taraboshit tue i dhanë liqenit nji dritë bojëshegë që të lente pa frymë, qyteti i shtrimë poshtë bedenave të lashta më pëshpëriti lehtë, si me dashtë me m’thanë nji sekret.
Pëshpërima jehoi tue u përplasë ndër muret e rrënueme prej tufanit të moteve, u shumëfishue e u shpërba në hapsinën përtej themeleve të stërmundueme të kalasë.
- Ke me u endë mes dy dashnish - mërmëriti zani i qytetit.
Ktheva kryet me shpresë se gurt e moçëm po më rrëfejnë legjenden, por ata heshtën të stivuem randë mbi sho-shoin, pa dashtë me ia ditë për padurimin tem.
Nji tufë pëllumbash të egër fluturuen sipër meje tue e dridhulatë ajrin e stërpikun me të verdhën e dillit tashma n’arrati. Mora teposhtë kalasë nëpër kalldremin e limuem prej dalldisë së hapave të panjehuna, tue ndjekë me sy fluturimin gri të pëllumbave, që gugaten sekretin e qytetit: “...mes dy dashnish, ...mes dy dashnish”.
Kalaja me dy porta të randa më përcolli tue më beku me tamlin e bardhë të Rozafës. Poshtë saj, Drini kapërthehej në rrjedhën e tërbueme prej dy urash që varen si diagonale mitike e kot rreken me e ba zap.
Përballë, në nji dremitje marramendëse, përkundej Buna e përshkueme tërthor prej dy urash të tjera, që zgjaten deri në rrazë të shkambinjt e qindisun prej sherbelash erëmira.
Diku përtej, në kambë të maleve që i rrinë si kunorë qytetit, turravrapet zallit Kiri i kthjellët, që ban sikur e ndalë tutet para urës së vjetër me harqe nazike, kurse urën e re përshkonte me mospërfillje, tanë inat që i ka ngushtue brigjet me betonin e saj.
Teksa muzgu po i len vendin mbramjes, nji freski e kandshme iu mbështoll si shall mëndafshi supeve naziqe të qytetit, që kalamendej mes dashnisë së ujnave e të maleve. Era e Veriut davariti shtëllungat e reve, që shpejtuen me u zhba, teksa hana derdhi magjinë e saj mbi pullazet kuqaloshe të rrugicave hollake.
Në kët’ qetësi t’lume, prej diku larg, ritmi marramendës i nji rezeje deret m’diftoi sekretin që ishte stivue ndër sergjiat e moteve. Tak–tak, kumbonte prore, pa u fashitë tingulli fillestar, e jehona më pëshpëriste: “Ke me u endë mes të sotmes e të përtejmes, ku prehet gjysma jote; mes vendlindjes dhe qytetit ku jeton; mes dy brigjesh të krypuna miklue prej dufit të zbaticave; mes dashnive që u bjerrën e atyne që buluen; mes fërfëllimave fatale të shpirtit e ndjesive kalimtare; mes magjisë së netve me hanë e terrinës së vetmisë; mes puthjeve që more e atyne që dëshirove; mes miqve që të rrethojnë e atyne që të mungojnë; mes andrrave që realizove e atyne që mbeten ndër bebet e syve të kaltër; mes mirëseardhjeve e lamtumirave...”
... fati jem ishte shkru ndër arkapijat e dyzueme të këtij qyteti fatlum. 




Rozafa Shpuza

Wednesday, July 18, 2012

Bojshegë virtuale - Rozafa Shpuza




Askush s’e mori vesht pse banorët e ngrehinës ma të përfolun virtuale filluen me u grishë me njeni-tjetrin e mos me u ndie rahat në hapësinën që u ishte rezervue për aventurën e tyne bojshegë. M'erdh krejt natyrshëm ky epitet, se nuk deshta assesi me përdorë epitetet bajate të reportazheve të gazetave për ngjarjet e randomta reale, mbasi kjo që po ju rrëfej nuk asht e tillë...
Njimend asht nji bashkëjetesë krejt larg parashikimeve të atyne që e mbajnë vedin për tejpamës, por, afërmendsh, kjo asht jeta që secili ka andrrue me pasë: e hareshme, me aventura t'pacake, e miklueme prej mirakandjeve të miqve që përditë shumohen si gazetat ndër sergjiat e pluhnosuna, e lehtë si reja, pa orare e pa teka stinësh... Gjithçka asht e përsosun, prejse banorët e kanë në dorë me i vu si të dojnë bojnat e shpirtit, meloditë, mendimet e përzgjedhjet e miqve të vjetër e rishtarë.
Duhet veçse me pasë imagjinatë e ajo bahet realitet në murin që rrethon lirinë e secilit. Shprehitë e fytyrës janë krejt të lehta me u ndryshue. Mundesh me kenë i mërzitun, por të pëlqen me u dukë i gëzuem... mjafton vetëm nji prekje e realizohet kjo dëshirë. Mundesh me kenë i moshuem, por asgja s’të pengon me i thanë asaj që ke adhurue tanë jetën fjalët ma të zjarrta të dashunisë... fjalë, që s’ke gjetë asnjiherë guximin me ia thanë ndër sy. Eh, sa shumë dritare pa grrila ka kjo ngrehinë, pa dashtë me përmendë baptimën e jehonave të mbasgrrilave!
Krijuesi i kësaj ngrehine gjigande asht rrekë me e ba sa ma perfekte kët bashkëjetesë bojshegë e kësisoj pragu i çdo banori ka nji derë me tri reze bojqilli. Tek e para gjithkush mundet me “pëlqye” gustot e mikut. Tek e dyta mundet me “i shprehë” livdatat e urimet, kurse e treta asht ma e veçantë, se të lejon me e “shpërnda” edhe në oborrin tand atë që miku yt ka servirë.
Anipse mirëkuptimi e bujaria ka kohë që janë shprishë në botën reale, në ngrehinën virtuale buronin përherë e ma hovshëm. Si duket, kjo ishte kleçka që bojshegasit u velën e ndjenë nevojën e nji rezeje tjetër. Mirfilli, kjo reze mundej mos me kenë bojqielli si tri të tjerat, por ajo duhej me ekzistue patjetër në derën e secilit, thjesht me i ba bojshegasit me u ndi vetvedi.
Krijuesi shpirtmir asht tue ba të pamujtunen për me e restaurue këtë plasaritje në murin rrethues të ngrehinës ma të përfolun virtuale e saora ka me e gjetë nji zgjidhje. Rezja e “mospëlqimit” ka me xanë vend në deren e gjithkujt e tashembrapa bojshegasit kanë me shprazë barrën e fjalëve të pathana e kanë me vazhdue prore bashkëjetesën e tyne bojshegë... 
Korrik, 2012