Sunday, February 27, 2011
Friday, February 25, 2011
Përtej asgjësë - Rozafa Shpuza
(Koha më bën të harroj disa njerëz,
disa njerëz më bëjnë të harroj kohën,
ndërsa disa të tjerë janë koha ime…)
I dashur ish-i dashur,
Mos ma merr për dobësi që po të shkruaj, por s’rri dot pa të thënë atë që po përjetoj në këto çaste...
Gjithmonë kam menduar se takimi me ty do të më sillte emocione e ndjesi të papërshkrueshme, po kur të pashë sonte, krejt rastësisht, diku në qoshen e asaj rruge me drita të zbehta, që të jepnin një pamje fajtori, të strukur në xhakavento nga i ftohti i kësaj nate dimri, pas kaq shumë tallazesh shpirtcopëtuara e fjalësh të thëna e të pathëna, nuk ndjeva asgjë. Po, po, asgjë... E nuk ta them për hakmarrje, se tani nuk do të kishte më kuptim kjo gjë.
Eca drejt teje, të përqafova krejt normalisht e ta dhashë dorën, siç do t’ia jepja një miku të largët. Të pashë ndër sy për të kapur ndonjë shkëndijë apo sinjal, por asgjë. U mundova të merrja ngrohtësi nga dora jote, por ajo ishte e ftohtë si acari i dimrit e vetëm më përcolli të dridhura në trup..., jo si ato që dikur veç ti mundje të m’i jepje, por të dridhura të akullta, që më bënë të shtrëngoja fort pallton e të gjeja ngrohje veç tek ajo.
Nuk e di pse filluam të ecnim në rrugën e boshatisur, por hapat tanë nuk e kishin më atë ritmin perfekt të dikurshëm. Më shqetësonte ai ritëm i ngatërruar hapash, e megjithëse u mundova dy-tri herë të ndalesha për ta rregulluar disi, nuk arrita dot. Ecëm pa folur, ndonëse kishim aq shumë për të thënë. Ecëm të ndarë, ndonëse kishim aq shumë mall për t’u bërë një. Ecnim pa e ditur ku shkonim. Heshtja na udhëhiqte e na çonte në vende që dikur na jepnin aq shumë kënaqësi, po kjo natë e ftohtë dimri na kishte bërë si dy heje akulli e ne çapiteshim duke përkëdhelur me sy stolat e preferuar të parkut, kafenetë e qeta, dyert ku kishim hyrë fshehurazi, pragjet ku ishim puthur e kishim shtrënguar fort njëri-tjetrin.
Endeshim në heshtje e në vështrimet e hedhura fshehurazi shihnim veç profilet e fytyrave tona, se asnjëherë nuk e kthyem kokën njëherësh. Nga ecja jonë e çrregullt duart tona ndesheshin nganjëherë, por asnjëri nuk merrte guximin që të shtrëngonte fort dorën e tjetrit. Vazhduam të ecnim kuturu, ndonëse nata bëhej më e errët dhe më e ftohtë. Kishim veç këtë natë, se ti do të ikje e kushedi kur do të shiheshim prapë. Gjithmonë i kam urryer ikjet, e ti e dije fort mirë këtë. Pse ike, atëherë? Për sa shumë gjëra doja të të pyesja, por e ndjeja se do më shmangeshe, siç u je shmangur gjithmonë pyetjeve të mia. Po ç’rëndësi kanë shpjegimet tani?! Secili ka zënë vendin e vet në jetë, por kjo natë dinake, që fshihej tinëzisht nën petkun e pangjyrë të dimrit zemërak, na bashkoi rastësisht e na çoroditi si dy trumcakë pendëngrirë. Krejt si ata edhe ne donim të strukeshim diku, por unë ende nuk e di nëse e kisha vërtet këtë dëshirë apo gjithçka po ndodhte instinktivisht, nën peshën e kujtimeve që duan veç të preken pak e pastaj vërshojnë si përrenj tekanjozë për të marrë me vete ç’ka gjejnë përpara.
Hapat na çuan para një porte tepër të njohur e të dashur për ne. E mban mend sa herë e kemi prekur atë dorezë me shqetësimin se po na shihte kush e me padurimin për t’u futur brenda? Por sonte ishim të qetë e krejt indiferentë ndaj kalimtarëve të rrallë apo komshinjve, që mund të dilnin në dritare. Mjaftoi një “krrak” e çelësit pas derës për të na kujtuar se ishim dashur shumë dikur. Por puthjet ndër buzët e ngrime nga fërfëllima e dimrit s’ishin aq të ngrohta, as prekjet e tua s’e kishin atë magjinë e dikurshme, as trupat tanë nuk arrinin më harmoninë perfekte, që të ndienin edhe përkëdheljen më të vogël e të dalldiseshin.
I dashur ish-i dashur,
Ndoshta koha që ka kaluar na e ka zbehur magjinë e dashurisë, ndoshta largësia na ka shterur, ndoshta indiferenca jote ma ka bërë më të pandjeshëm shpirtin. Dikur e gjithë kjo zemër ishte veç jotja, ndërsa tani ke vetëm një vend atje në qoshen e saj. Ti mos u tremb e mos u tulat si trumcaku që i është shembur foleja nga tufani kryeneç i dimrit, se atë vend do ta kesh përherë, po s’kam ç’t’i bëj kësaj nate tinëzare, që më futi në kurthin e saj e më shpupurishi ëndrrat e mia harrakate për të më kujtuar atë që shpesh më dhemb, por edhe më lumturon. Tash do të duhet të kalojnë orë, ditë, muaj që unë të mund të të lë prapë të qetë në atë qoshen tënde...
Mbase herën tjetër do të takohemi në pranverë e nuk do të jemi kaq të ngrirë e të akullt, mbase e pati fajin veç acari i kësaj nate dimri, mbase... Më thuaj ti: ç’ndodhi me ne?
6 janar 2011
Sunday, February 13, 2011
Saturday, February 12, 2011
Kohë ikonash - Rozafa Shpuza
Sytë i kishte ngulur përhumbshëm mbi atë ekran të akullt, kurse gishtat i përkëdhelnin lehtë tastierën. Këto ishin dy objektet me të cilat ishte e detyruar të kalonte pjesën më të madhe të kohës. E ndiente se pak nga pak po robotizohej, po humbte ndjesitë e brishta e po i dorëzohej pa kushte virtualitetit. Nganjëherë kujtohej se ishte në këtë prag gremine e dilte me vrull në dritare për të marrë ajër, për të parë qiell, pemë, tokë e për të dëgjuar cicërima apo fëshfërima gjethesh, por ato sikur ishin përpirë nga humbëtira e përjashta kishte mbetur vetëm amullia e një ditë të ngarkuar, që çapitej e lodhur. Atëherë ajo fikte kompjuterin me njëfarë inati të përzier me një ndjenjë të pakuptimtë për atë objekt të pajetë dhe merrte rrugën e heshtur për në shtëpi nën ritmin e pandryshuar të hapave, që pothuajse gjithmonë nguteshin. Dinte me hollësi çdo detaj të asaj rruge: pllakat që lëviznin në trotuar; bordurat, ku shpesh provonte veten se sa në ekuilibër mund të qëndronte, dhe ndërtesat, të cilat, me përjashtim të ndonjë afisheje, kishin kohë që s’i ndryshonin aspak fasadat e tyre. Zakonisht nuk takonte asnjë të njohur, se ai ishte një qytet i madh e i rrëmujshëm e të dukej sikur secili, i mbështjellë nga indiferenca e boshllëku, ngutej.
Të vetmit që s’e tradhtonin kurrë dhe kishin gjithmonë një buzëqeshje për të ishin gështenjapjekësja, me gishtat e nxirë dhe me faqet e kuqe nga prushi, që edhe në behar të joshte me ngrohtësinë e tij, lustraxhiu, që radhiste në një stol të vjetër kutitë e bojërave dhe hidhte furçën në ajër si ato klounët e cirkut duke thirrur: “Hajde lustra-boja!”, dhe diku në qoshe një djalë i ri i mbështjellë me zhele, që me dorën e shtrirë përpara belbëzonte ndër dhëmbë refrenin e përhershëm: “Ndihmojeni sakatin!”
Ndalte hapat para tij për t’i hedhur ndonjë lek e zemra i përpëlitej nga trishtimi. E ndërsa ai ngrinte kokën për ta falënderuar, ajo humbiste në vështrimin e tij, që rrezatonte mirënjohje e mister. Ajo çka i përjetonin sytë nuk mund të krahasohej me asnjë nga ikonat që ajo përdorte në bisedat virtuale, ku ishte perfeksionuar të buzëqeshte me një ikonë, të ngërdheshej me një tjetër e të mërzitej me një tjetër. Kaq shumë ishte përpirë nga ajo botë ikonash, sa para këtij lypësi e ndiente veten të paformë, si një masë e destinuar për t’u shpërbërë.
E trembur, shpejtonte hapat për t’iu larguar atij vështrimi depërtues dhe përzihej me turmën e kalimtarëve, që gjithmonë nxitonin, si për t’ia shtuar edhe më shumë ankthin. E teksa dita shuhej e nata si vello u përkëdhelej majave të larta të ndërtesave gri, pa sjellë asgjë të veçantë në jetën e saj, ajo, si çdo herë tjetër, do t’u ngjitej me vrap shkallëve, do të rrotullonte dy herë çelësin e do të përballej me të njëjtat mure memece e orendi simetrike. Televizori do të llomotiste pa pushim për një festë të dashuruarish e ajo, duke pirë çaj të përvëluar pa sheqer, do t’i uronte vetes ndonjë tufë mimozash, që mbase dikush kujtohej t’ia sillte.
“Uf, festë idiote!” - turfulloi me vete kur po mundohej të mbyllte sytë dhe u mbështoll si lëmsh me batanije, si për të qetësuar sado pak ato tallaze të shpirtit. Por një alarm acarues telefoni do ta zgjonte në mëngjes e do t’i afronte sërish të njëjtën rutinë zhurmash, që nga ekspresi i kafesë, boritë e paedukata të makinave, deri te melodia aq familjare e hapjes së kompjuterit, ku ikonat do të mbushnin fitimtare dritaret virtuale për t’u uruar “mirëmëngjesi!” miqve të përhershëm përtej ekranit. Heshtja tinëzare do të strukej nëpër skutat e pluhurosura të zyrës derisa dita të shuhej pa asnjë urim real e pa asnjë tufë mimozash, përveç lajthitjes së ikonave të dashuruara virtuale, që do t’i përshtateshin mrekullisht atmosferës së festës.
Itinerari i kthimit ishte i njëjti, por ajo s’do t’i vinte re as pllakat që lëviznin, s’do të provonte as ekuilibrin mbi bordurë, s’do t’i lexonte as afishet që llamburitnin nga reklamat e festës. Miqtë e saj besnikë, që prisnin ta përshëndetnin, ishin ndër vendet e tyre, me përjashtim të djalit në qoshe. Ajo rrotulloi sytë me shqetësim, pasi prania e tij ishte bërë pjesë e pandarë reale e ditës së saj. E kërkoi dëshpërimisht, sepse i mungonte ai vështrim i sinqertë, që e ndihmonte të mos pushtohej krejtësisht nga bota e ikonave. Tingujt e ëmbël që vinin nga një lokal aty pranë, e bënë të kthente kokën e të shihte në mes dhjetëra çifteve të dashuruara edhe djalin e qoshes, që i buzëqeshte aq çiltër mikes së tij e kushedi sa fjalë të ëmbla i thoshte.
Tiranë, 10 shkurt 2011
Monday, February 7, 2011
Sikur - Rozafa Shpuza
Sikur autobusi i unazës të ishte vonuar si përherë e ajo të shkonte vonë në atë takim, nuk do të ndodhte asgjë e jashtëzakonshme. Po atë ditë ai erdhi më shpejt, me atë turfullimin karakteristik që shoqërohej me një tym të shpifur, dhe njerëzit sikur nxituan për të hipur e zbritur, duke penguar njëri-tjetrin te dera. Iu desh të duronte me neveri të shtyrat e duhmën e rëndë që kundërmonte aty brenda dhe ua nguli sytë pemëve, që parakalonin pas xhamave si ushtarë të bindur.
Te stacioni i saj u ndalën pak njerëz e autobusi vazhdoi përsëri rrugën me atë ngutin e tij jo të zakonshëm. Ngaqë ishte herët për takimin, filloi të sorollatej në parkun aty afër. Ishte ai çast i ndërmjetëm kur dielli është në të perënduar e stolat nuk janë zënë ende nga çiftet e dashuruar. Rrezet e fundit u jepnin degëve të dendura të pemëve, që zgjatnin hijet e tyre elegante nëpër rrugicat e parkut, një ngjyrë të portokalltë.
Ulur në një stol të vogël pranë një këmbaleci tipik, si ato që përdorin piktorët, ai ishte përhumbur në krijimin e tij. Ajo u ndal instinktivisht në një distancë që mund të dallonte mirë gjithçka. Loja e penelave në telajon e pjerrët e magjepsi. Në fillim s’po e merrte vesh se ku i kishte ngulur sytë e çfarë pjese të peizazhit po hidhte në atë beze të tendosur fort. Bojërat përziheshin rrëmujshëm në tavolecën shumëngjyrëshe e peneli, pasi rrotullohej disa herë aty, lëshohej i etur për të shprehur gjithë impulset e imagjinatës së tij. Këto lëvizje të shpejta, si dhe nuancat e ngjyrave, që ndryshonin nga çasti në çast në kuadratin para syve të saj, e bënë ta humbiste sensin e kohës dhe ta harronte fare takimin.
Sikur të mos ishte hera e parë që shihte nga afër një piktor të zhytur aq përhumbshëm në botën e tij, ndoshta do të ikte e s’do të shtangej aty si e magjepsur. Sikur sytë e saj të mos befasoheshin nga ai kombinim i mahnitshëm ngjyrash e nga ato lëvizje marramendëse të penelit, do të vinte syzet e diellit e do të shijonte e qetë perëndimin. Por as bëhej fjalë që këmbët t’i bindeshin e ajo të vazhdonte shëtitjen në rrugicën e ngushtë të parkut. Nuk e mori vesh pse e befasoi ajo përzierje ngjyrash e ajo lojë e penelit, që u bindej gishtërinjve të ngjyer, të cilët s’mund t’i dalloje më nga tavolecoja që mbante në dorën tjetër. Nuk ia kishte vënë re deri atëherë tiparet, ndaj, kur ai ngriti kokën, ngaqë e ndjeu praninë e saj, ajo dalloi ca njolla ngjyrash në ballë dhe një palë sy me një shkëlqim të rrallë.
Sikur piktori të vazhdonte i qetë punën e ata të mos shkëmbenin atë shikim, sikur peneli i tij të mos e kishte atë magji për ta futur pa e kuptuar në një botë ëndrrash, sikur dielli të mos perëndonte në atë çast e muzgu të mos shtrohej ngeshëm në qetësinë memece të parkut, ajo do të takonte atë që e priste atje te stacioni e jeta e saj s’do të hynte në kësi labirintesh.
Ah, sa shumë “sikur” ka në jetën e secilit, sa shumë dilema e sa shumë nostalgji, sa shumë fjalë të pathëna e puthje të pashkëmbyera! Ajo psherëtiu thellë teksa po fshinte pluhurat e asaj pikure, që kishte vite që rrinte aty e heshtur, dhe ndjeu një si rrymë që t’i përshkonte trupin. E adhuronte dhe e urrente njëkohësisht atë hapësirë që kufizohej nga ajo kornizë indiferente prej druri, ngaqë kishte vetinë t’i kujtonte një përjetim të papërsëritshëm e pastaj ta përplaste ndër honet e errëta të vetmisë së shpirtit. Sa e kishte kërkuar atë piktor të paemër, që s’kishte mundur ta gjente askund! Sikur ta kishte takuar...! Sa i kishte munguar ai shkëlqim sysh në ditët monotone pa shtigje komunikimi! Sikur t’i kishte pranë...! Sa ishte penduar që atë buzëmbrëmje kishte ikur si e hallakatur me atë telajo të patharë ndër duar e nuk kishte shijuar puthjen e përzier me ëmbëlsinë e prekjes së gishtërinjve të ngjyrosur që e përkëdhelën lehtë! Sikur të zgjaste pafund ajo puthje...!
Sikur..., sikur..., sikur..., ajo s’do të qëndronte sot e përhumbur para një pikture anonime, që me magjinë e saj vazhdonte ta bënte të dridhej.
31 janar 2011
Thursday, February 3, 2011
Subscribe to:
Posts (Atom)