Tuesday, January 24, 2012

Winter...

Winter... by rozafa2010
Winter..., a photo by rozafa2010 on Flickr.

Calm lake

Calm lake by rozafa2010
Calm lake, a photo by rozafa2010 on Flickr.

Lake in winter

Lake in winter by rozafa2010
Lake in winter, a photo by rozafa2010 on Flickr.

My sky

My sky by rozafa2010
My sky, a photo by rozafa2010 on Flickr.

E përtejme


 

 
Ka rrjedha në jetë që të vërvisin kah do hone ma të ftohtë se dimni, ma të akullt se hejet e pullazeve pa tym oxhakësh, ma memecë se heshtja. Atje mediton e përmallueme e rrahjet e shpeshta në krahnor  kot mundohen me të shkri vështrimin e ngrimë ndër do shkronja që si kumrijat rreken me të thanë shumë... Mundet me ra shi e me fshi gjurmët e lotëve; bora me fjollat e saj mundet me të zbardhë zymtinë e shpirtit; era mundet me fry si e çmendun e me të shty si pendë ndër rruginat e ngushta të askundit; mjegulla mundet me mblu shtigjet e me mshehë sinjalet e semaforëve, por kambët kanë me të çu vetë për atje.
Atje nuk ka orare pritjesh, as rralla të gjata, as trafik të ngarkuem. Për atje nisesh kur pesha e kujtimeve të ka mposhtë e ndihesh e këputun. Për atje hapëzon e përhanun kur shpirti të asht fikun e kërkon me marrë nji shkëndijë. Rrugës për atje dihat’, por nuk mbushesh me frymë. Baptima e hapave pipëtin nëpër atë shteg që zgripohet tek ajo banesë që s’ka as portë, as mure. Banorët e atjeshëm i përkasin së përtejmes, prandaj rojtari mundet me dremitë i qetë.
Futesh dhe e din ku duhet me u ndalë. Si e mpieme, lëshon mbi mermerin e ftohtë do lule, që, si për çudi, i kanë rezistue ngricës dhe ashtu e ngurtësueme fillon komunikimin me të përtejmen. Kujton, premton, loton, por nuk ke frymë me ndenjë gjatë aty. E përtejmja ka depërtim therës në shpirt e ti s’mundesh me i rezistue për shumë kohë. Të duhet me i kthye krahët e me fshi lotët, teksa ndihesh ma e kthjellët e zemra të rreh ma e qetë...
Tashma kalldrëmit i ka shkri bryma e gurët i shndrisin prej rrezeve të diellit dimnor. Grizhlat lodrojnë ndër qiparisat shtatnaltë, që me heshtjen e tyne të amshueme, duket sikur lidhin dy botë. Mjegulla asht davaritë e qielli kapërdin nji tejpamje të kristaltë. Hapat i hedh ma ritmikisht e sytë i ke ma të ujshëm. E përtejmja të ka dhanë energji e ti i rikthehesh së përditshmes e tjetërsueme.
Rozafa Shpuza




Wednesday, January 11, 2012

Vargje nga poetë shkodranë (3)




Ledia Dushi

----
me mujtë me fjetë me kthimin
e pemëve t`mbytuna
e thirrmat e mija shpendve
zotnuesa t` trishtimit t`paqiell
kasolle t`lëshueme e barka mejtimi
pluskojnë e cekin
flamë buzësh e kurrgja s`ashtë n`stinë…
me mujtë me kthimin e pemëve me fjetë
n`mos n`Shpirt Dimni diku asht



Anton Cefa

Motiv i dikurshëm shkodran
Drini i lau kambët Kalasë
e dielli, tue u rrëzue mbas Taraboshit,
ia fali lulkuqin e fundit
të ditës.
Puthin aroma lulesh
muret e oborreve të randueme nga shermasheku
e shtëpitë, të mbetuna në gryka blerimesh,
kërrusen
nën peshën e lodhjes së mbramjes
e të qiellit në perëndim.
Krismat e dyerve, që mbyllen njena mbas tjetrës,
dhe të gjitha zhurmat tjera
shuhen ngadalë në valët e liqenit.
Nën nina - nanën e bulkut të natës
dremitin rrugët e vetmueme.
E Shkodra flen.


Alfred Çapaliku
Stina e gëzuar

Si frynin erërat e stinës ashtu mbrëmë,
Sikur pranvera jepte koncert me tre violinistët
e muajve të saj,
Në sheshet e rrugëve dhe periferitë.

Si endeshin të dashurit nën ombrellat gazmore,
Dy nga dy
Dhe shpërndaheshin mes blerimit nën ritmin
e shiut.

Të gjitha këto ndodhën mbrëmë,
Kur të prisja ndanë një BAR-i
Dhe emrin ta gdhendja në avujt e xhamit.


Thursday, January 5, 2012

2012

2012 by rozafa2010
2012, a photo by rozafa2010 on Flickr.

2012

2012 by rozafa2010
2012, a photo by rozafa2010 on Flickr.

2012

2012 by rozafa2010
2012, a photo by rozafa2010 on Flickr.

2012

2012 by rozafa2010
2012, a photo by rozafa2010 on Flickr.

Shije andrrash


 
Në agun e kristalizuem të fillimvitit hodha sytë përreth e pashë se asgjë përtej mendsh nuk kishte ndodhë. Ishin ndërrue veç shifrat në kalendarin e murit dhe ishin boshatisë do shishe ma shumë në tavolinën e velun prej pjatave të përgjysmueme. Ndjej se kam shije të hidhun në gojë dhe kuptoj se andrra e nji nate ma parë s’ka kenë fort e kandshme. E di mirë se kjo hidhësi asht e vetmja gja që s’jam e zonja me e kapërdi. Qysh në vogli më ka miklue refreni i paragjumit “shifsh ëndrra të bukura”, e ai ka vazhdue me m’bëza lehtë në vesh si jehonë ogurmirë në çaste përhumbjesh. Po kush me ma pëshpëritë këtë refren tesh, kur ndërrimet e fletëve të kalendarëve hipokritë kanë marrë me vedi shpirtna njerëzish të dashtun e kanë lanë pas kujtime që bulojnë spontanisht ndër epilogë të mrrolun andrrash?
Eci mes këtyre ndjesish të hapërdame... Hapat përpihen prej monotonisë së ditëve, kurse baptima e tyne bahet gjithnji e ma shkallmuese. Në këtë vorbull udhëkryqesh, shkujdesshëm futem në ndonjë shteg të mjegulluem. E ashtu, me mendjen në erë, vazhdoj me hedhë ngutshëm hapat, me shpresën se kam me mbërritë atje ku andërroj. Shpeshherë ndodh që shtegu asht pa krye e unë kapërthehem e zhgënjyeme në murin e akullt të boshllëkut.
“Prit pak! – i tham vedit. Ku mbërrita kështu? Për ku isha nisë? Pse më tërhoqi deri këtu magjia e atij vështrimi e pastaj më lëshoi si gjeth vjeshte në batakun e baltosur të shinave të fundstinës?”
Tue kenë e magjepsun nga shija e ambël e andrrës, nuk i kisha vu re theqafjet, anipse frymëmerrja për ty e  hapëzoja  pas teje si hije e bardhë tue iu gëzu mesditave, kur hijet zhdukeshin e ne baheshim nji.
Por përplasja me asgjanë më përmendi dhe ndjeva se kisha mbetë vetëm.
Kam frikë me rifillu rrugëtimin ndër numrat e pashpirtë të kalendarit, por e panjohuna më grish e vazhdoj me ecë. Kthinat e ditëve, si magjistrica fjalëpaka, më thërrasin ndër kurthet e tyne.
- Ban sevap, he t’u realizoshin andrrat!
Ndalem para asaj dore të shtrieme mjerisht për kah retë e lodhuna prej gjamave të shiut. Sytë më njomen prej atij urimi, por hapat s’dojnë me ia ditë e gërdhishtin ma fort se kurrë trotuarin e dërrmuem prej peshës së tyne. Rrekem me krahasue shijet e andrrave. Kapërdij shijen e fundit e teksa përcillem ndiej nji aromë dehëse në ajri’...
Tesh e di mirë se andrrat janë nji mriz i paqtë ndjesish deri në çastin kur shkapetemi me muret e ftofta, që kishim andërrue me i kthye në ura. Lum kush mbërrin me blatue ura, se ka me pasë shije të mrekullueshme andrrash në shpirt!


 Rozafa Shpuza