Ai s’dinte, as nuk donte n’at ças, me pa qartas ndër ndiesina të veta të  ndërlikueme. Lëshohej me mirakandje në valë të tyne. Donte me hypë mbi at mur e  me ngranë aso kumbullash të verdha...  Ndoshta ky ish deshir i vjetër qi zgjohej  rishtas mbas nji gjumi dhetë vjetësh. Ndoshta ish trill i ri lindë n’at paq  zhegu ari. Por kjo s’i duhej gja m’e dijtë. Dishka ma e fortë se urtija e  shtynte m’u ngjitë maje murit.
“Marri! S’jam ma i vogël si atëherë! Dikur do sende mund i bajshëm... Tashti  asht marre me më pa kush...”
Ky mendim s’i vjefti. Harroi moshën, humbi njohunin e kohës e të vendit,  shtini në punë kambë e duer edhe u gjet maje murit, midis degve të kumbulles. Si  i dishruem, me at lakmi për pemë në gemb qi vetëm kalamajt ushqejnë, çoi dorën  kah kokrrat e verdha dhe, kur i shtrëngoi ndër gishta për me i këputë, i  rrëshqiti nji të dridhun andjeje në trup si të prekte mishin e njomë të nji  krijatyre nxehtësisht e gjatë mot andrrue e pritë. Langu i kumbullave i ngjalli  në gojë nji shije verash të humbuna, nji amë stinësh të mbrekullueshme shlulzue  mbas nji prendimi të largët.

 
No comments:
Post a Comment