Thursday, May 31, 2012


RRUGA QË NUK ZGJODHA
Robert Frost

Dy rrugë degëzoheshin në një pyll të verdhë
e më vinte keq të mos i ndiqja të dyja
e meqë isha udhëtar i vetëm, mbeta gjatë
duke parë njërën prej tyre sa munda
Pastaj mora tjetrën, pse ishte po aq e bukur,
dhe kishte, mbase, pamjen më të mirë,
sepse ishte me bar dhe më pak e rrahur;
edhe pse kalimi i kish bërë ato
pothuaj, të dyja të ngjashme
dhe atë mëngjes të dyja ishin aty-aty të njëjta
me gjethe që asnjë hap s’i kishte njollosur.
Oh, e lashë mënjanë, të parën, për një ditë tjetër!
Dhe duke ditur se njëra rrugë çon në një tjetër,
dyshoja, se a do të kthehesha prapa,vallë.
Do ta tregoj me një psherëtimë
diku aty pas vitesh dhe vitesh:
dy rrugë degëzoheshin në një pyll dhe unë-
unë mora atë më pak të rrahurën,
dhe kjo bëri gjithë dallimin.

Përktheu: Faslli Haliti

Wednesday, May 2, 2012

Sandalet - Rozafa Shpuza


(Faqe të ditarit të pashkruem...)


Sa herë kthehem në shpinë e vjetër, nuk mund të rri pa rrëmu ndër sirtarët e ngushtë të bibliotekës së pluhnosun. S'mbahet mend qysh kur ajo asht vu në atë faqe  murit të odës  së madhe që merr dritë prej dy dritaresh me grila jeshile.
Shkallat e drunit që të çojnë te kjo odë përfundojnë me nji çardak me dërrasa të gjana, të mblume vende-vende me shtroje pecash bojna-bojna, që gjyshja nuk pranoi asnjiherë me i ndërru me tapete sintetike. Parmakët elegantë ju rrinë roje e shkallat, të miklume prej kësaj përkujdesjeje, luhaten me një melodi t’kandshme prej hapave që nguten me u ngjitë nalt.
Dera e madhe e shpisë, që ka ndenjë mbyllë për shumë kohë, ankohet me një za t’përvajtshëm që del prej menteshave të ndryshkuna, kur kapaku çilet e korridori i errët merr frymë, i paqtuem prej pritmshmënisë së ankthshme. Sa vërshon drita e bollshme në hapësinën e katit të parë, në qylymin e kuqlum dallohen gjurmat fosforeshente në formë rruginash të ngushta të ndonjë kërmilli të harruem, që asht lodhë tuj shku e tuj ardhë, sikur ka dashtë me ripërtëri ecejaket e dikurshme të t’zotve të shpisë që tashma prehen në paqe.
I përpij me sy tana detajet, deri ndër ma të imtat, orën e varun në murin e plasaritun prej lagshtinës e orenditë e vjetra, që sikur rinohen prej ardhjes teme, e shpejtoj me zhbirilu ndër sirtar, ku e di mirë se më presin shumë kujtime.
Fotografitë janë të ndame ndër albume me kopertina të daluna bojet e të rrjepuna prej përdorimit. Ato janë zverdhë prej motesh që kanë ikë pa ia vu veshin muzgjeve e vransinave. Teksa futem në atë botë kujtimesh, prej parkut vijnë cicërimat e harabelave e fryn nji fllad i lehtë lule vilash që kanë çilë n'oborrin e kojshisë. Më kishte dalë krejt prej mendsh se kishte ardhë maji!
Shfletoj me kujdes, gati i përkëdhel, tuj mos dashtë me i damtu ma shumë, fletët e holla të tejdukshme që ndajnë fotografitë e nji albumi të vjetër të fëminisë.
1 maj 197... Shifra e fundit nuk lexohet ma. Boja e stilografit ka kullu si lot mallit e në fotografi dallohet vetëm buzëqeshja e dlirë e do fëmijëve të vumë në rresht me lule ndër duer. Qe, ku jam edhe unë midis tyne, por kryet e kam ulë sikur kam dashtë me i diftu fotografit sandalet e reja, të bleme apostafat për atë festë, që ma shumë më trembte me manifestimet luftarake. 
M’u kujtu ankthi i parafestës,  kur rrijshim në radhë me nanen te dyqani i këpucëve në pjacë. As nuk bahej fjalë për me zgjedhë, por të kërkohej veç numri i kambës nga njeni prej dy shitësave, që, për çudi, ju fillonte emni me “S”. Ato ishin njerëzit ma të randësishëm për mu në ato momente. Mundohesha me ndenjë në majë të gishtave për me mujt me hasë vështrimin e tyne, por ato ishin indiferentë për me përmbushë dëshirat e nji fëmije. Në mes të dyqanit kishte një stol të vogël drunit me nji pasqyrë përballë e unë i shifsha tanë lakmi ato që provojshin sandalet para meje.
Isha shend e verë kur merrshim rrugën për në shpi me kutinë e sandaleve në dorë. Pa ma thanë kush e dijsha se ato duheshin me u veshë veç për festë, prandaj i vejsha në nji vend të dukshëm në odën teme, bashkë me çorapet e bardha, e i admirojsha prej s’largtit.
Fotografia bardh e zi rrin e heshtun, ashtu e fiksume ndër katër qoshet në faqen e albumit. Tanë ato fëmijë i kishin kalu të njajtat emocione e aty pozojshin të gëzuem, tuj dashtë me qitë në pah teshat e reja. Por gjaja që e ban atë fotografi krejt të veçantë, asht se atë ditë filloi papritë nji rrebesh i marrë e sandalet e reja u shtremnunë e lëshunë bojë ndër çorapet e bardha, e tanë ai gaz ndër fytyrat e fëmijëve u kthye në lot për humbjen e magjisë që pritej me ndodhë një herë në vjetë...
Në parkun poshtë dritareve ndihen zana që kumbojnë hareshëm. Lule vilet në murin e oborrit të kojshisë varen tanë naze e pikat e vesës e bajnë edhe ma të kandshme bojëlilen e tyne.

(1 maj 2012)