Thursday, March 28, 2013

Rrefren marsi - Rozafa Shpuza




   


Teshat e nderuna në ballkonin e katit të pestë të nji ngrehine, rrjepun suvaje, janë përpie prej vorbullave të marra të erës e i gëzohen atij harbimi pa cak. Retë vikasin me za bubullimash të largëta e tasheparë marrin nuancat e kumrijave, që meditojnë ndër tela telefonash. 
Mbas pak ka me ra shi, por kjo asht gjaja ma normale për këta ditë të ujshme marsi. Gjunjtë e mi, të pasqyruem në pellgun bri semaforit, marrin forma abstrakte. Kalimtarët shpejtojnë, si të shtymë prej erës, e çdo gja përkulet simbas tekave të saj. 
Për me krijue njifar sigurue që era mos me m'përfshie në tërbimin e saj, fus duert ndër xhepat e pardesysë ku gjej nji biletë të zverdhun urbani. Ve' buzën në gaz prej kësaj vogëlsine që më ban me kujtue se edhe vjet kam veshë të njajtin pardesy e kam pritë në të njajtin stacion.
Fshesarja kalon shisën poshtë kambëve të mia, që ndihen paksa të cënueme sipër bordurës, por degëzat jeshije, të lidhuna primitivisht në nji bisht të gjatë, vazhdojnë me ledhatue asfaltin krejt indiferente. 
Malet karrshi zbardhin, pa dashtë me ia ditë për arratinë e dimnit. Silueta e borës  kryenece dhe lulet e brishta të kumbulles në oborrin e nji vile me grrila të mekun, rreken me u marrë vesht me jehona pranvere... 

Mars 2013