Monday, November 22, 2010

Migjeni - Poezi




Malli rinuer

 

Valët muzikore flutrojnë nga perëndimi
shkrepen e përtrihen
për muret e dhomës seme,
edhe mandej dridhen
mbrenda në zemrën teme
dhe zgjojnë ndijesina që mblue ka hini.

Ndijesitë e mija me valët muzikore
shkëmbejnë puthje të nxehta
posi dy dashnorë
e pa mshirë shëgjeta
më therë në krahnor
edhe më merr malli për jetë ma gazmore.

Malli rinuer për jetë ma shkumbuese
flen pa fat në mue,
një tingull perendimi
asht ngushllîm për mue
kur më mshtjell mashtrimi
me melankolín e vet aq trishtuese.

Tingujt miqëdashës që në dhomën teme
më falin rytmin
e një dansit të largët,
më kujtojnë përqafimin
e çifteve të shkathët
që sjellen hirshëm nëpër drrasa të gëdhenme.



Sonet pranveruer

 

Me kangë në buzë e me hove të reja
u zgjue agimi pranveruer,
largësinat e hjedhta ka zatetë hareja,
n'argjent shkëlqejnë brigjet tërthuer.

Me kangë në buzë u zgjue agimi
dhe ia këndoi kangën diellit t' art
rrezash purpure dhe jetëdhurimi
me kaltrinat e thellta në qiellë të kjartë.

Me manushaqe në buzë e me andje në zemra
vajzat si biluri ndër kopshtie të gjelbra
dihasin aromat, që lulzimi derdhi,

me gji të paprekun, ku dashnia sosë
me fletza trandafilesh që flladi sjelli
dhe adhrojnë pranverën me një apoteozë.



Një natë

 

Grue a hyjneshë, e mbështjellun n'errsi të natës,
zbriti nga sfera të panjoftuna ndër odat e mia
dhe u shtrue një fllad, një e kandshme ndjesi,
një heshtje parathanse zemrën don të ma përpijë,
Vetëm që ora këndon kangën e thjeshtë të natës
-jo -jo! dhe diku larg dëgjohen tingujt e kangës
Grue a hyjneshë m'erdhi nga gjin' i errsinës...
Qe'! frymën ia ndjej dhe zemrën që rreh prej fellsinës.
Buzët e njoma të saj,
Syt e zez e të mdhaj
me hamnoni vijash të bindshme
premtojnë një dashni të hijshme
(ashtu dhe akordi i heshtjes
frytin e ambël të marrveshtjes).
Dhe njëmend! At natë vallzuen ndjesit e jona
më një valle dëfryese, pa marrun frymë..



Ekstaza pranverore


...dhe pranvera erdhi...
Nëpër ftyra tona rrëshqiti nji gëzim
dhe ndër zemra tona ngrehi një fole,
e një jetë e bukur, e një jetë e re,
me dëshira të shumta po buzqesh në lulzim.

...dhe dallndysha erdhi...
si shpirti n'ekstazë, në hovin e shejt shtri;
me qiellën rroket, me diellin puthet,
dridhen krahët në hare mandej poshtë vërsulet
t'u dhurue në cicrim përshndetje një mijë.

...triumfon bylbyli...
kangëtar plot magji në gemb të trandafiles,
në një tempo të marrë përkdheljet po shfre
e kanga kumbuese, kang' e tij pa fre,
asht si kangë Orfeji ndër telat e lyrës.

...dhe vesa shkëlqen...
në një pikë t'argjent pasqyrohet jeta
tërheqse si andrra dhe si vijzatimi
ndër orët e hyjzimit, kur shpërthen agimi
e rrezet e arta rrëshqasin ndër fleta.

... dhe pranvera erdhi...
Nëpër ftyra tona rrëshqiti një gëzim
dhe ndër zemra tona ngrehi një fole
e një jetë e bukur, e një jetë e re
me dëshira të shumta po buzqesh në lulzim.



Dy buzë

Dy buzë të kuqe,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën,
gëzimin ma fikën,
si fantazma ikën
ndër do bota të larta...
Dy buzë të përgjakta,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën
në buzë kur m'u njitën
andjet m'i trazuen,
zemrën ma tërbuen,
trunin ma helmuene
në fund u mërguen...
Dy buzë të kuqe,
bukuri fatale,
të një grueje stërzane
një pranverë të tanë më mornë
një pjesë zemre më nxornë,
dhe gëzimin ma vodhnë...
Ato dy buzë të kuqe
dhe dy lotë të mia
qenë shenjat e dhimbjes
kur më vrau bukuria,
kur më zu dashunia
e më dogji rinia.






No comments:

Post a Comment