Wednesday, November 30, 2011

Mark Tuen




Mark Tuen (1835-1910) shkrimtar realist amerikan


* Emri i tij i vërtetë ishte Samuel Klement. U quajt Mark Tuen në këto rrethana. Qysh fëmijë, midis mjeshtërive të tjera ai punoi edhe si ndihmës në një anije. Gjatë kalimit të Misisipit, timonieri maste thellësinë e ujit dhe në çdo matje i thoshte:
- Mark Tu! Këto fjalë kanë kuptimin "shëno dy". Për këtë arsye, më vonë, kur ai u bë gazetar, në kujtim të këtij timonieri që e kishte bërë mjeshtër, mori si pseudonim këto dy fjalë me të cilat pastaj u bë i famshëm.

* Duke qenë ortak me botuesin e tij ai falimentoi. Tueni sakrifikoi shumë gjëra që të paguante kreditorët e shoqërisë botuese. Ai shiti mobiljet, librat dhe shumë gjëra të tjera. Megjithatë nuk mundi t'i shlyente të gjitha. Atëherë me ngulm dhe guximin e tij karakteristik dhe pse ishte gjashtëdhjetë vjeç, iu vu punës pa pushim deri sa arriti të paguante edhe kreditorët e fundit. Populli amerikan e admiroi këtë provë të nderit dhe të guximit të tij dhe vendosi t'i dhuronte shkrimtarit një shtëpi të vogël. Kështu i zëvendësoi ato që kishte shitur kur kishte qenë në ditë të këqija.


* Shtëpisë së tij të vogël i silleshin rrotull hajdutët që i kishin marrë të gjitha sendet me vlerë prej argjendi. Ai ngriti në murin e sallonit një kartelë ku shkroi me shkronja të mëdha dhe të dukshme:
- Vihen në dijeni të gjithë zotërinjtë hajdutë, se në këtë shtëpi, nuk ka më veçse vazo të mëdha prej argjendi, të cilat do t'i gjeni në dollapin e dhomës së ngrënies pranë kanistrës ku flenë macet e vogla. Në qoftë se edhe kanistra ju shërben, kini mirësinë t'i vini macet në dollap. Mos bëni zhurmë që të mos mërzitni të zotët e shtëpisë. Ju lutemi kur të dilni mbyllni mirë portën".

* Një miku i tij duhej të operohej. Mark Tueni e ngushëlloi në një mënyrë të çuditshme. Ai i tha:
- Kur të fillojë operacioni për të ngushëlluar veten mendo që ndërkohë që t'i vuan nga dhimbjet, kirurgu gëzohet se do të fusë në xhep paratë e tua.

* Kur Mark Tueni i paraqiti dorëshkrimin e veprës së tij të parë botuesit Karetlo, ai nuk deshi ta botonte.
Njëzet vjet më vonë, kur Tueni ishte bërë i shquar, e takoi botuesin në Zvicër. Ai i zgjati dorën dhe i tha:
-I dashur Tuen, ka një njeri që sot është bërë edhe më i shquar se ti. Ky person jam unë. Në të vërtetë unë nuk jam ndonjë njeri me rëndësi e, megjithatë, kam një fakt në jetën time që më ka bërë shumë të dëgjuar. Unë kam kthyer dorëshkrimin tuaj. Sigurisht që sot më marrin si gomari më i madh i shekullit.

* Duke shëtitur pranë një varreze, humoristi pa disa inxhinierë dhe punëtorë që bënin disa matje. I pyeti se përse i bënin matjet.
- Meqenëse gardhi që rrethon varrezën është prishur, duam të bëjmë një mur të mirë rrethues për gjithnjë.
- Një mur? Po përse bëni mur, sa kohë që ata që janë brenda nuk mund të dalin jashtë dhe ata që janë jashtë, nuk kanë asnjë dëshirë që të hyjnë brenda?

* Një ditë humoristi i famshëm shkoi të vizitonte studion piktori të dëgjuar.
- Nuk është keq, - tha Tueni duke parë një tablo të porsa përfunduar. Nuk është keq vetëm se unë do të kisha hequr këtë renë këtu.
 Dhe zgjati dorën për të treguar vendin ku ndodhej reja e tepërt. - Kujdes, kujdes - bërtiti piktori. Ngjyra ende nuk është tharë.
- Oh, mos u shqetësoni! - tha Tueni pa e prishur qetësinë, sikurse e shihni unë jam me doreza dhe nuk ka rrezik që të fëlliqen gishtat.

* Mark Tueni ishte i sëmurë dhe kishte dy ditë që nuk kishte vënë gjë në gojë. Ditën e tretë e ndjeu veten më mirë dhe kishte uri. Infermierja që e kuronte i solli një lugë me lëng mishi.
Ai donte diçka më shumë por infermierja nuk e lejoi.
-  Kjo mjafton, nuk mund të hash më.
Shkrimtari u detyrua të bindej, mori lugën e lëngut dhe i tha se donte të lexonte diçka.
- Po kujdes, - shtoi ai, - se mos më sjellësh për të lexuar ndonjë pullë poste.

* Një gazetar amerikan që dëfrehej me intervistat e njerëzve të mëdhenj, e pyeti Tuenin se ç'mendonte për ferrin dhe për parajsën. Humoristi i shquar iu përgjigj: - Nuk mund ta them mendimin tim se kam miq në të dy vendet dhe më duhet të ruaj asnjanësi të plotë.

* Ja disa aforizma të Mark Tuenit:
- Shqetësimi që shkaktohet nga shembulli i mirë, është nga më të vështirët që të përballohet.
- E vërteta është pasuri shumë e çmuar, prandaj duhet ta ruajmë atë si çdo pasuri tjetër.

No comments:

Post a Comment