Sunday, December 16, 2012

Monologu i guackës së detit







Pejzat e shpirtit m’u tendosën ndër brigjet e njelma të flirteve tueja. Cipa e buzëve m’u plasarit prej pritjesh t'etuna për puthje spirancash. Krahët m’u mpinë, ashtu të zgjatun kah pafundësia jote harbuese. Sytë m’u mjegulluen prej thellsisë s'epshueme të honeve tueja të mistershme...
E në këtë mriz ndjesish përvëluese, fati më përzgjodhi me kenë dashnorja jote e përjetshme. Nën pushtetin tand magjepsem, anipse e di mirë se kam me u shkapetë prej tallazesh e me u harrue nën barqe orgazmash t'shkumueme. Jam e pazoja me dalë prej kësaj vorbulle, që më çon herë nalt mbi tehe dallgësh e herë më fundos, tue më shkapetë në krahanorin tand të trazuem...
Përqafimi jot asht fatal. Ai më mbërthen ethshëm e më ban me harrue mërmërimën monotone të valëve... 
- Mmmmm - s'prajnë tue peshpëritë valët e ti bahesh për mu i vetmi far në kaltrimin kryeneç. Ti përpin tana rrahjet e zemres, dëshirën e çmendun me provue skaje ndjesish…, por tamam në këtë zenit kënaqësiet, kur ndjej se ti je veç i jemi, kur kam hapë krahët e jam krejt e sigurt se ky shtërngim ka me zgjatë përgjithmonë, ti tërhiqesh, bahesh i largët, krijon nji brez të valëzuem në ranishte e arkapija e komunikimit tonë zhbahet...
Hana rreket me m’ledhatu me rreze tinzare, por buzëqeshja më ka mbetë e ndryeme ndër buzët pagojce, si melodi sirenash andrrimtare. Njashtu e cfilitun, me trup të vijëzuem prej dyzimit dashni-urrejtje, pres baticën e re me shpresë se puthja e fundit nuk më ka stivue ndër fosilet e harresës me mbishkrime ranishtesh shterpe.


Rozafa Shpuza

No comments:

Post a Comment