Friday, September 13, 2013

Hija e saj

                                                                                  Foto: R. Shpuza




Kam nji parandjenjë memece përgjatë gjitë vitit, por kur trokasin përvjetorët e ngurtësuem, gjendem bosh dhe pa asnji arkapi ngushëllimi. Ato ia behin të pacenuem prej theqafjes së stinëve që përpihen bri vorbulla ndjesish dështake, heshtojnë të pajoshuna prej muzgut e agut... Përvjetorë të tillë kapërthehen në tezgjahun e ditve të kalendarit që ka vetëm nji datë të zijueme..., të tjerat, si numrorë të pakuptimtë, stivohen krejt indiferente. Ditët që rradhiten para kësaj humbnaje janë të mbarsuna me shpresë, me ankth, me lutje..., kurse të tjerat që vijnë pas i përgjasin karvanit të ngjizun me dhimbje të pashlyeme.
Në autobusin që kalamendet si i përhanun në gjoksin e mjegulluam të nades nji za i fikun më pëshpërit qetësisht:
-       Ke krejt hijen e saj...
-      Nadja e mirë! – i mërmëris atij burri të kërrusun, dikur mik i afërt me prindërit e mi.
Tamam sot e bani këtë konstatim ky plak flokëbardhë?! Çudi, kurrë nuk i kam vue re hijet që zhvendosen mbas siluetave, por ndjej se tashma hija e saj asht kaplue mbas meje dhe më drejton përkah rruga që rrin pezull nën petkun e vjeshtës. Vesa lojcake më stërpikë me bulza të prarueme e më ban me harrue se pak ma parë isha zvoglue sa lamshi që mundet me u strukë në grushtin e shtrënguem fort.
Tue ecë në bordurë, mbështjellë prej ripërtrimjes që më pulson në shpirt prej hijes së nanës, ndjej se si davariten ndër pellgjet e mbasshiut kujtimet e hidhta të atij cak-përvjetori, kur s’pata za me folë, s’gjeta prehën me shprazë dufin e shpirtit, nuk hasa nji palë sy që të dallonin lotin e paderdhun...
Ehhh, e di mirë se përvjetorët e ngurtësuem kanë me trokitë parreshtun, e unë, si gjethe e përflakun vjeshte, që s’dihet edhe sa ka me i rezistue tërbimit të moteve, kam me u hapërda në kapërcyell të reales e të përtejmes: herë e brishtë, herë e trishtë, herë e bjerrun, herë e lumtun...
 Rozafa Shpuza

12 shtator 2013     

No comments:

Post a Comment