Friday, September 5, 2014

Telajo e pathame




foto:rozafa shpuza

E përditshmja po e debulon kët qytet me nji pështjellim fatal stinësh, aq sa kërkush s’asht ma i zoti me dallue nëse vera asht në prag apo n’arrati.
Dufet e qiejve shkapeten kuturu ndër antenat e nguluna si hajmali në maje tarracash, kundruell kazanave kaba që depozitojnë ujin e tejngopun me klor.
Ekranet virtuale hapërdajnë papra ndjesi shterpe përmes lajmeve të rozta apo të zijueme. Njerëzit komunikojnë me gishta e buzët belbin më kot për me nxjerrë ndonji tingull shprese.
Si damarët e nji të sëmuri në grahmat e mbrame, rrugët përpëliten mes smokut e amoniakut të nënurave.
Autobusët urbanë ngrehin zvarrë pasagjerët, e plaka rrin në kambë afër nji vajze të ulun që flirton me celularin.
Bri stacioneve, dyert shfryjnë duhmën sintetike e kaosi pushton pragun metalik të autobuzave urbanë. Kërkush nuk pret, tanë duen me kenë të parët, anipse presohen si teshat ndër thasët e “Gabit”.
Kafet gulojnë nga të ngeshmit, e shefi, që sapo ka firmosë për ligjin “antiduhan”, ven në buzë puron. Tre çakmakë shkrepin vrikthi, në garë se kush ia ndezë i pari.
Tue i përplasë filxhanat mbi syprinën e tavolinës, kamarieri u servir kafet ma parë zotnive e mandej zonjave, karriera e të cilave bazohet në dekoltetë e minifundet.
Takat e nalta nuk janë ma simbol delikatese, por pengu ma i madh i atyne rishtakeve që, të mësueme me të përpjetat e shtigjeve të fëminisë, përkulin gjunjët si lejlekët në moçal, pa mujt me përballue horizontalen e pashpirt të sallave qytetase.
Kërkush nuk e pranon mendimin ndryshe, ndaj tasheparë kacafyten për parimet, të cilave ju retushohet data e skadencës sa herë ndryshojnë krahët e politikës.
Afishet ndër trungjet e pemëve ngulen me 100 kapëse aktesh, e askujt nuk i  vjen keq për lëvoren e mjerë, por për lajmin se sa herë ka përdorun silikon kangetarja që stonon mrekullisht.
Do libra të zverdhun ndër parmakët e urës së madhe përpihen prej indiferencës së studenteve që ju gëzohen akronimeve të sapokrijueme në chat.
Lumi që dergjet i përçudnuem brigjeve beton-thyeme përhapë n’ajri’ dilemën ma të madhe të gjithkujt: Ku po derdhet me kaq ngut ky qytet?
2014

Rozafa Shpuza

* Gabi - Tregu i teshave te perdoruna qe shiten nga gabelet

No comments:

Post a Comment