Tuesday, December 14, 2010

Ndjesi ndërstinore - Rozafa Shpuza









Zakonisht ditët e fundit të gushtit nuk dallohen shumë nga ditët e para të shtatorit. Se ç’kanë një lloj pleksjeje të pashpjegueshme, sikur s’dinë të gjejnë cakun e mbarimit të pushimeve me diell e liri dhe fillimit të monotonisë së vjeshtës me shira.
Ishte pikërisht ky kufi ndërstinor kur ajo rindjeu atë dridhje shpirti, atë prekje të vetme, ato mornica që t’i përshkonin trupin. Po pse duhej t’i kujtohej pikërisht tani, pas kaq shumë kohësh, kur dukej sikur gjërat ishin qetësuar e stinët do të ndiqnin të bindura njëra-tjetrën? Ndoshta ishte ai imazh që e përfshiu të tërën kur po pinte kafen e mëngjesit në një lokal në katet e larta të një ndërtese, diku afër vendit ku kishte feksur ajo ndjesi e ëmbël. U çorodit për një çast e filxhani i kafesë i mbeti në dorë, në një pozicion që s’dinte në duhej ta vinte në buzë apo në taketuke. Por nuk pati nevojë ta lodhte shumë kujtesën. Mjaftoi ai fllad vjeshtor e gjithçka iu shfaq e brishtë, si ditën kur kishte ndodhur. U mundua edhe një herë të përcillte pak kafe, si për t’u thënë “ikni!” atyre kujtimeve, që po ia merrnin frymën, por më kot.
Gjithkush i ka provuar ato emocione, kur një afsh të shtrëngon gjoksin e ti mbetesh viktimë e ndjesive, pa mundur të bësh asgjë për t’i ndaluar... Provoi të mbushej me frymë e vështrimin e treti nga cepi i ndërtesës, aty ku dikur takoi atë njeri. Kishte kaluar aq shumë kohë e kurrsesi s’kishte dashur t’ia pohonte vetes se ora e dridhjeve të shpirtit kishte ngelur aty, tek ai çast, tek ai kufi ndërstinor. Pa njëherë rreth e rrotull, si për t’u siguruar se askush nuk po ia lexonte mendimet apo dallonte shkëlqimin që i morën sytë. Lokali ishte i qetë e kamerierët silleshin me hap të lehtë sa nga njëra tavolinë tek tjetra. Dielli i fundgushtit apo fillimshtatorit (ajo ende nuk dinte ta përcaktonte këtë periudhë) shkëlqente përmallshëm, i bindur se rrezet e tij do t’i zinin retë e shirat do të lagnin ngrohtësinë e tyre. Papritur gjithçka iu dyzua. Nuk po e merrte vesh nëse po jetonte të tashmen apo atë çast të vetëm, perfekt, të ruajtur mirë në kthinat e shpirtit. E ç’të keqe kishte po t’i kujtonte edhe një herë ato çaste? Ja, aty, duke pirë kafen e mëngjesit... e pastaj do ta mbyllte edhe një herë kapakun e sëndukut të kujtimeve, si fletët e një ditari të destinuar për të mos u lexuar më kurrë.
Gjithçka filloi virtualisht. Nuk e mbante mend kush i kishte shkruar rreshtat e parë në ekranin e vogël të kompjuterit, por kujtonte se kishte pasur përherë simpati për të. Nuk ishin takuar kurrë bashkë, ndoshta ndonjëherë rastësisht në praninë e të tjerëve, po vështrimet që patën shkëmbyer nga larg kishin pasur aq magji..., por këtë ajo do ta merrte vesh më vonë, kur ai do të futej vrullshëm në mendimet e saj për ta pushtuar të tërën. E gjithçka nisi siç ndodh zakonisht në të gjitha miqësitë virtuale: prezantim i vetvetes, takt për të mos kaluar masën e miqësisë, shteg i hapur për të vazhduar edhe nesër. Herë-herë bashkëbisedime të tilla nisin e mbarojnë pa shumë bujë, janë thjesht miqësore ose sipërfaqësore, por ky s’ishte i tillë. Kishte diçka që e bënte ta hapte kompjuterin me ankthin nëse kishte ndonjë mesazh prej tij, nëse ai ishte online... Shumë herë kacafytej me ndjesitë e përpiqej ta frenonte veten, pasi i dukej se po fluturonte ndër re. Ishte gjithçka e përsosur, e mbushur me ndjenjë, me pasion, me buzëqeshje, me mirësi. I kishte të gjitha ai bashkëbisedim virtual e ata të dy u përfshinë si nga një vorbull e fuqishme, pa qenë të zotët të dilnin më. Sillej ajo vorbull e kaltër para syve të saj e valët e përkëdhelnin, por edhe e fundosnin; e shtynin për më tutje, por edhe e nxirrnin nganjëherë në sipërfaqe, sa për të marrë frymë e për të kuptuar se gjithçka po ndodhte virtualisht, pas ekranit, me një njeri që përsosej e bëhej gjithnjë e më i dashur, më i pazëvendësueshëm, më drithërues.
E kështu kalonin orë, ditë, muaj, e po t’i mblidhje së bashku dilnin shumë, aq shumë, sa s’krahasoheshin me orët që kishte kaluar me të dashurit e dikurshëm. Po pse, a mund të quhej “i dashur” ky njeri pas ekranit, që i jepte maksimumin e kënaqësisë, por vetëm virtualisht? Kapërdiu atë pak kafe që i kishte mbetur në filxhan. Tani që e kishte hapur këtë kapak sënduku, kujtimet rendnin hareshëm e s’donin t’ia dinin as për çoroditjen e saj, as për rrezet përtace të diellit, as për vorbullën e ndjesive harrakate.
Takimi real ndodhi krejt natyrshëm, kur ai erdhi në qytetin e saj atë fundgushti apo fillimshtatori.
“Jam te cepi”, - ishte mesazhi që mori në celular. Nuk mendoi, nuk pa, nuk mori frymë, por eci si somnambul drejt cepit të ndërtesës. Hapat erdhën e u bënë më të çuditshëm, frymëmarrja më e shpeshtë, sytë më të ujshëm. Ai ishte aty, real, duke buzëqeshur aq dritshëm. Ndjeu vetëm një dorë në bel që e tërhoqi ëmbël si për ta zgjuar nga ëndrra... Oh, ishte magjia e asaj dore, ajo prekje aq fatale, aq drithëruese, aq e paemër që e bëri të provonte dridhjen më të mrekullueshme të shpirtit që kishte përjetuar ndonjëherë.

22 shtator 2010



No comments:

Post a Comment