Tuesday, December 14, 2010

Pas xhamave - Rozafa Shpuza




(Ardës, mikes sime të paharruar...)


Tashmë jeta e saj ishte kufizuar brenda asaj ndërtese, ku gjithçka ishte e përpiktë dhe e paracaktuar. Muret ishin lyer me një gri të zbehtë, dyert konturonin frikshëm korridoret që ndriçoheshin artificialisht, dritaret sikur krenoheshin se mund të lidhnin dy botë, shtretërit radhiteshin si ushtarë të brengosur, ndërsa infermieret e heshtura sfilonin në të bardhë ogurzezë.
Shpesh ajo i afrohej aq shumë xhamit të dritares, saqë ai vishej nga avulli i frymëmarrjes së saj të trazuar. I pëlqente ta shihte ashtu të mjegulluar atë pjesë të botës që i rrokte vështrimi, ashtu të përvijuar nga forma e buzëve, e ballit, e gishtave që ngjisheshin aq fort pas xhamit, sa shenjat mbetnin të stampuara përçudshëm për një kohë të gjatë. Pemët e larta, parcelat simetrike të lulishtes përballë, lulet ndër to, që çelnin e thaheshin sipas ciklit natyror, rrugicat mes tyre e stolat me familjarët shpirtvrarë, të gjitha këto tani i ngjallnin pasiguri, izolim, frikë. Oraret e ilaçeve, dremitja e zgjimi i zymtë, ngrysja e zbardhja e ditëve që i zinin vendin njëra-tjetrës pa asnjë emocion, i ngadalësonin e ngadalësonin gjithnjë e më shumë ritmin e rrahjeve të shpirtit, i zbehnin emocionet, i ngurtësonin buzët, i venitnin shkëlqimin e syve... Kjo ishte bota e saj, këtu i shtynte orët, ditët, javët.
Kishte çaste kur donte t’i hidhte të gjitha pas shpine e përpiqej të kujtonte ditët e bukura, të qeshurat, miqtë, dashuritë... I vetmi mjet që mund ta ndihmonte disi ishte celulari. E nxirrte nga nënjastëku dhe, kur e ndiente se mund t’i komandonte dridhjet e zërit prej ngashërimeve, bënte telefonata; kur s’ishte e sigurt, çonte mesazhe. Harrohej për pak çaste e i dukej se kishte dalë nga një ëndërr e keqe. Nuk donte që miqtë ta merrnin vesh se ajo ishte bërë robinjë e asaj ndërtese të zymtë, donte që ata ta kujtonin si dikur: me atë buzëqeshjen e dëlirë, me ecjen  tipike majë takave të larta nëpër rrugët e qytetit, me zërin  kumbues dhe flokët e derdhur supeve, që i shkëlqenin nga dielli vjeshtor...  Po ai? A thua do të mundte ta ndiente nga telefoni trishtimin e saj? A thua do ta kuptonte se asgjë s’shkonte si do të kishte dashur ajo, se ditët e saj tashmë mund të numëroheshin me gishta? Ajo e dinte se lidhjet shpirtërore krijojnë ndjesi të jashtëzakonshme, por ato transmetohen përmes syve, buzëve, prekjes, ndaj si mundte ta merrte vesh ai gremisjen e saj vetëm prej celularit?
Kishte pasur shumë shpresë atë ditë që i kishte hipur zemërthyer avionit, se rezultatet në ato fletë analizash që kishte marrë me vete ishin të gabuara. Por, siç treten kokrrat e breshrit në asfaltin e lagur e humbasin rrëkeve, për të përfunduar më pas në pusetat e errëta, ashtu kishte marrë arratinë edhe fati i saj. E tani kishte arritur deri aty sa u shmangej pasqyrave, sepse as vetes nuk donte t’ia tregonte atë fytyrë të shformuar nga kurat, të zbehtë nga izolimi në atë ndërtesë të mbrapshtë dhe të përhumbur nga bashkëjetesa me ata pacientë të destinuar për atë rrugë pa kthim.
Kishte marrë guximin që t’i thoshte veç atij se ku ndodhej. Fjalët “jam mirë”, “vetëm për ca analiza”, “do dal shpejt” i kishte përsëritur aq shpesh para se t’ia thoshte atë pasdite të mugët vjeshte, saqë kishte filluar t’i besonte edhe vetë. Po, ajo do të bëhej më mirë, do të dilte shpejt prej aty, do të shihej në pasqyrë e do t’i buzëqeshte vetes, teksa zbukurohej për të dalë në xhiron e përnatshme në pjacë me miket e saj. Gjithçka do të kthehej si më e parë...
Tani zgjohej mëngjeseve me një ndjesi të çuditshme, sepse priste që nga çasti në çast të vinte ai, ta shtrëngonte fort e ta nxirrte që aty. Shpesh e më shpesh i afrohej xhamit të dritares e i treste sytë larg, tepër larg, në hapësirën e pafundme mes reve, sikur donte të depërtonte ndër to e të dallonte fluturimin e avionëve. Nuk i ulte më poshtë për të parë oborrin me bordurat e bardha që kufizonin lulishten e zymtë, se e ndiente që ai do të vinte e ajo do të fluturonte nga gëzimi, do ta përqafonte me mall e do ta hidhte pas shpine gjithë atë skëterrë që ndodhej këtej xhamit.
Eh..., xhami vazhdonte të mjegullohej nga frymëmarrja e trazuar, buzët zbeheshin përditë e më frikshëm, sytë e djerrnin shkëlqimin çdo orë e më tepër, gishtat ngjisheshin nervozë në atë sipërfaqe të qelqtë, ndërsa qiejt e shpupuritnin herë pas here qetësinë nga zogjtë shtegtarë, që merrnin turravrapin për në vendet e ngrohta.

 8 dhjetor 2010



1 comment:

  1. Rozafa, shume e prekese. Ne momente dobesie apo deshperimi them : What the heck with life, if I happen to be ill, I'll just give in !
    Po duke te lexu...actually I'm crying ! Bravo !
    Irma

    ReplyDelete