Friday, January 28, 2011

Vajza e ujërave të gjelbra - Rozafa Shpuza






Trageti nuk mund t’u afrohej shumë brigjeve të rrëpirëta të malit se druhej nga relievi i pabesë që fshihej nën ujë. Hidrocentrali aty afër kishte bërë që lugina mes dy shpateve përballë të mbushej me ujërat e ftohtë që rridhnin rrëmbyeshëm nga përrenjtë malorë e aty të krijohej një liqen me një bukuri përrallore. Pishat që kishin pasur fatin t’i shpëtonin përmbytjes, mbaheshin fort me rrënjët e tyre pas shkëmbinjve të murrmë. Të tjerat më poshtë ishin bërë sirena e u kishin dhënë ngjyrën e tyre të gjelbër ujërave të liqenit.
Për udhëtarët e rrallë që donin të ndaleshin në portet e vogla e prej aty të ngjitnin shpatin për në fshatrat që gjallonin ndër shkrepat e thepisur kujdesej një varkë e vogël, e cila bënte rrugën nga trageti te skela e sajuar me dru pishe, që dukej sikur rrinte pezull sipër rrjedhës së furishme. Na u duk çudi që varka drejtohej nga një vajzë, e cila, pasi ndihmoi udhëtarët të zbrisnin nga shkallët e hekurta të tragetit në varkën që lëkundej frikshëm, shtrëngoi rremat e vjetër dhe filloi të voziste fuqishëm. Rrjedha e ujit krijonte vorbulla ndjellakeqe e varka e mbushur me udhëtarë të çoroditur si puna jonë, që e kishin përvojë të re atë udhëtim, lëkundej si një lëvozhgë veze e hedhur shkujdesshëm në një rrjedhë uji.
Aq e furishme ishte rrjedha sa nga frika dhe pasiguria nëse do të arrinim shëndosh e mirë në breg, ia kishim ngulur me ankth sytë krahëve të saj të hollë, ndaj ajo shpejtoi të shpjegonte se e bënte këtë punë që kur kishin filluar lundrimet në atë liqen të krijuar mes malesh. E veshur me një triko të trashë ngjyrëkafe të punuar me shtiza, me flokët e prera shkurt dhe me veprimet që kërkonin forcën e një burri për t’u kryer, vajza na futi të gjithëve në një botë tjetër. Kisha lexuar se disa gra ndër këto malësi, pasi bëjnë një betim, u duhet të heqin dorë nga të qenurit femër dhe t’i dalin zot familjes si të ishin meshkuj, por kurrë s’do ta kisha besuar se një vajzë imcake si kjo që kisha afër mund ta mbante mbi supe këtë peshë.
Pasi u larguam paksa nga trageti, i cili kishte krijuar ca dallgë rrethore që të bënin të ndjeheshe si gjethe e vetmuar që hallakatet nga era e marrë e dimrit, sikur u qetësuam disi e mundëm të dëgjonin përplasjen ritmike të rremave në ujërat e gjelbra të liqenit. Vajza ishte bërë njësh me varkën e të dukej sikur ajo, duke sinkronizuar lëvizjet, kishte mundur të arrinte një perfeksion të atillë që e bënte atë varkë të vjetër të mos e përfillte rrjedhën e fortë dhe vorbullat e etura për të mbështjellë gjithçka me krahët e tyre. Fytyra i ishte ngurtësuar paksa nga sforcimi e vështrimin e kishte tretur tutje ndër pishat halëmprehta të shpatmalit. Qenia e saj mund të kuptohej veç mes atyre ujërave që i bindeshin dhunshëm ritmit të rremave të saj
Befasia e udhëtimit tonë kishte qenë ajo vajzë imcake që, e mbështjellë me tisin e gjelbër të ujërave, të kujtonte diçka mitike, ndaj të nesërmen kur u kthyem u habitëm që e gjetëm varkën pa vajzën në të. Si dukej trageti vinte më vonë e ajo i dinte me përpikëri oraret e tij. Dëgjohej veç furia e ujërave të ftohtë dhe përplasja e varkës në këmbët e drunjta të skelës. Ca klithma zogjsh të egër, që kishin ardhur aty bashkë me ujërat e liqenit e tani ndjeheshin zotër të atyre shkrepave, tronditnin herë pas herë qetësinë e akullt të asaj lugine. Si një jehonë e largët vinin ca tinguj të ngrohtë fyelli të përziera me ca të qeshura të mbytura, të cilat u ndërprenë menjëherë sa u dëgjua uturima e motorëve të tragetit.
Vajza zbriti me shkathtësinë e një dhie të egër shpatin e pjerrët dhe me ato lëvizjet e saj të zhdërvjellëta mori rremat e vjetër për të filluar rishtas betejën me vorbullat kryeneçe. Faqet i ishin skuqur, buzët i kishin marrë ngjyrën e vishnjave të pjekura fort, kurse sytë kishin një shkëlqim marramendës. Ajo e dinte fort mirë se këto tipare e tradhtonin premtimin që kishte bërë, ndaj me t’u ulur në varkë fytyra i mori një pamje të vrazhdë, gati burrërore. Dukej sikur ulërimat e shpirtit të saj ishin më të forta se furia e ujërave të rrëmbyeshëm që përplaseshin egër brigjeve shkëmbore.
Tingujt e fyellit vazhdonin të kumbonin këndshëm, por asgjë s’ia humbte më përqendrimin e gjithçka harmonizohej në perfeksion: ujërat e akullta, varka e vjetër mes tyre, rremat me ritmin perfekt dhe sytë e saj që kishin marrë ngjyrën e gjelbër të ujërave të praruara magjishëm nga rrezet e fundit të diellit dimëror që po fshihej pas shkrepave...


Tiranë, më 20 dhjetor 2010


No comments:

Post a Comment